Gryka: Atentati ndaj meje, politik
Ish-truproja e Hajdarit pretendon se atentati ndaj tij është bërë pasi ka kërkuar hapjen e dosjes “Hajdari”. Marjan Gryka: “Kështu u qëllua dhe Azem Hajdari”.
Ish-truproja e Azem Hajdarit, Matjan Gryka, e konsideron politik atentatin që iu bë para dy ditësh, ku ai mbeti i plagosur, pasi sipas tij, ai i kishte kërkuar prokurores Ina Rama rihapjen e dosjes “Hajdari”. Në një intervistë të dhënë për median, ai e lidh ngjarjen me vrasjen e ndodhur 10 vjet më parë të deputetit demokrat Azem Hajdari. "Mbarë shqiptarët e dinë pse presidenti i shoqatës "Azem Hajdari“ u qëllua. Historia përsëritet. Kështu u qëllua dhe Azem Hajdari", - tha Marjan Gryka, ish-truproja e deputetit demokrat.
Motivet
Gryka deklaron se pista për konflikte të vjetra duhet mohuar kategorikisht, pasi ai nuk kishte pasur asnjë problem. “Është e padiskutueshme që është politike. Nuk kam asnjë konflikt me asnjë njeri. Aq më tepër në qytetin tim që kam miq e shokë, por atentati i mbrëmshëm ishte i befasishëm", - vazhdon ai. Kryetari i shoqatës “Azem Hajdari” tregon momentin kur ai është zënë në pritë dhe është qëlluar. “2 persona, njëri i veshur me uniformë policie, më bënë me shenjë të ndaloja makinën. Unë ndalova pasi kujtova se ishte postbllok. Sapo jam ndaluar, kanë qëlluar në drejtimin tim", - vazhdoi Gryka. Sipas ish-truprojës së deputetit demokrat, shteti nuk mund t'i shmanget dot zbardhjes së vrasjes së Azem Hajdarit dhe beson se çështja do të rihapet. “Një ndër pikat kryesore të hyrjes në BE është kërkesa për zbardhjen e vrasjes së Azem Hajdarit. Prandaj nuk i shmangen dot", - përfundoi ai. Marjan Gryka i ka dërguar një letër kryeprokurores Ina Rama në të cilën kërkon rihapjen e hetimeve për të ashtuquajturën vrasjen e shekullit, atë të liderit të dhjetorit, Azem Hajdari, në vitin 1998.
Hetimet
Pas atentatit të ndodhur, policia i ka nisur hetimet për identifikimin e dy personave, të cilët ishin përgjegjës për atentatin e ndodhur 2 ditë më parë. Dyshohet se atentatorët mund të kenë vëzhguar lëvizjet e Grykës gjatë gjithë ditës, pasi ky i fundit gjatë së premtes kishte frekuentuar aksin rrugor Shkodër- Zogaj, disa herë. Burime nga grupi hetimor që ka qenë në vendngjarje thonë se janë gjetur 5 gëzhoja pistolete, plumbat e së cilës kanë goditur derën e shoferit, dritaren e shoferit, dhe derën e pasme të makinës. Atentatorët kanë përfituar nga errësira dhe janë larguar në drejtim të paditur. Policia po punon për identifikimin dhe më pas arrestimin e autorëve të atentatit.
Ngjarja
Marjan Gryka ishte duke udhëtuar me makinën e tij dhe pranë fshatit Zogaj ka rënë pre e atentatit. Sipas hetimeve paraprake të ngjarjes, mbrëmë rreth orës 22: 10 kryetari i shoqatës “Azem Hajdari” po udhëtonte në aksin Shkodër-Zogaj me automjetin e tij “Benz” tip “Slloun” metalizato me targa TR 0846 F. Dy persona me maska, (siç dëshmon Gryka), njëri prej tyre me uniformë policie, i kanë kërkuar të ndalojë makinën. Duke menduar se është postbllok policie, Gryka është ndalur, në këtë moment dy atentatorët kanë qëlluar me breshëri në drejtim të makinës së ish-truprojës së deputetit të vrarë Azem Hajdari. Fatmirësisht Gryka ka mundur t’i shpëtojë atentatit, i favorizuar nga rruga me kthesa, duke marrë vetëm një plumb në këmbë.