Maqedonia shtyn njohjen e Kosovës

Burimet diplomatike në Maqedoni, sidoqoftë, thonë se për të gjithë procedurën e njohjes së Kosovës nga Maqedonia tashmë është rënë dakord mes autoriteteve maqedonase dhe kosovare në koordinim me administratën amerikane.
Demarkacioni i kufirit me Kosovën pritet të përfundojë së shpejti dhe, kur të ndodhë kjo, duhet të fillojë procedura për njohjen e ndërsjellë të Maqedonisë dhe të Kosovës, por ende nuk dihet nëse kjo do të ndodhë gjatë kësaj jave apo javët e ardhshme, thonë burime brenda qeverisë maqedonase.
Sipas këtyre burimeve, për këtë çështje tashmë është rënë dakord mes të dyja palëve, por mundet që ajo të shtyhet për shkak të kërkesës që Serbia i ka bërë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që kjo e fundit ta kalojë për shqyrtim çështjen e ligjshmërisë së njohjes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, lidhur me paralajmërimet, gjithnjë e më të shpeshta, që janë bërë këto ditë se Maqedonia do ta njohë shumë shpejt pavarësinë e Kosovës, deklaroi se qeveria e tij po e ndjek me të gjithë vëmendjen e duhur këtë proces dhe se ajo do të veprojë në përputhje me interesat shtetërore të Maqedonisë.
“Po komunikoj me të gjithë partnerët tanë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, kështu që, në qoftë se do të ketë ndonjë risi, do ta njoftoj atë publikisht, por, deri tani, nuk ka asgjë të re”, tha Gruevski.
Kështu edhe pse përfaqësuesit e lartë të partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që bën pjesë në koalicionin qeveritar maqedonas, bashkë me VMRO-DPMNE-në e Gruevskit, ngulin këmbë se njohja e Kosovës nga Maqedonia do të bëhet shumë shpejt, madje këto ditë, nga ana e qeverisë maqedonase nuk ka asnjë konfirmim të këtyre paralajmërimeve të BDI-së.