BDI nis betejën për nënpresident shqiptar

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka propozuar modelin amerikan që Presidenti dhe nënpresidenti të zgjidhen njëherazi në “paketë”.
Partia kryesore e koalicionit qeveritar aktual, ajo sllavo-maqedonase VMRO-DPMNE, vazhdon të ngulë këmbë që Presidenti i vendit të zgjidhet, ashtu si edhe deri tani, në zgjedhje presidenciale të drejtpërdrejta, kurse BDI-ja, nga ana e saj, shprehet me forcë në favor të asaj që Presidenti dhe nënpresidenti që, sipas saj, duhet të jetë patjetër shqiptar, të zgjidhen në të njëjtën kohë.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka propozuar që Presidentin dhe nënpresidentin e vendit ta zgjedhë Parlamenti.
Gazetarëve që mbuluan takimin e fundit të liderëve të katër partive politike më të madhe në Maqedoni, që u zhvillua në Klubin e Deputetëve në Shkup, u ra në sy fakti se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, u përpoqën që në asnjë moment të mos ndodheshin pranë njëri-tjetrit, me përjashtim të rastit të pashmangshëm – në tryezën e rrumbullakët të bisedimeve.