Guantanamo, Berisha: Gati të pranojmë të burgosurit
Kryeministri Berisha tha se, në rast se do ketë kërkesë nga SHBA-ja, qeveria e tij do ta shqyrtojë me seriozitet
TIRANË- Shqipëria mund të jetë vendi, që në të ardhmen do të jetë e gatshme të pranojë të burgosur nga burgu i Guantanamos, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta kërkojnë një gjë të tillë.
Kryeministri Sali Berisha e ka lënë qartë të kuptohet, teksa është pyetur se çfarë kishte diskutuar lidhur me këtë çështje me sekretaren amerikane të shtetit, Hilari Klinton. "Në rast se do të ktheheni mbrapa në kohë, dhe 1 vit e gjysmë më parë, publikisht unë jam shprehur për mbylljen e atij burgu, sepse ai burg u bë simbol i asaj që SHBA-të nuk janë. Ka qindra mijëra burgje në këtë planet me kushte pakrahasimisht me atë burg, por kamerat aty ishin të përqendruara dhe ai u bë simbol i asaj që SHBA-të nuk janë. Në këtë kontekst, e përshëndes vendimin e Presidentit Obama për ta mbyllur atë burg.
Ne morëm 5 ujgurë, pati reagim nga vendi mik, dhe problemet u zgjidhën. Nuk ka asnjë kërkesë nga qeveria e SHBA-së për të marrë të burgosur, por ju siguroj se, në rast se do ketë kërkesë, ajo do shqyrtohet me seriozitetin më të madh.
Nuk e kuptoj që vendet mike të mos kontribuojnë në këtë rast për një problem që të gjitha e kanë kritikuar dhe tani që Presidenti Obama shprehet se do ta mbyllë dhe që kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv, të mos i jepet ndihma modeste për zbatimin e këtij vendimi.
Pra, nuk ka një kërkesë",- tha dje kryeministri Berisha në një konferencë për shtyp, pas kthimit të vizitës së tij treditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çështja e pranimit ose jo të burgosurve të Guantanamos pas mbylljes nga SHBA, është diskutuar jo pak nga vendet e Bashkimit Europian. Në një takim të para disa ditëve, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, debatuan gjatë nëse do të pranonin të burgosur nga Gjiri i Guantanamos.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana, deklaroi para pak ditësh për mediat se, Guantanamo ishte një problem amerikan që duhet ta zgjidhë Amerika, por se vendet evropiane do të ishin të gatshme të ndihmonin, nëse ishte e nevojshme.
Solana u shpreh, gjithashtu, se disa vende të BE-së do të merrnin disa të burgosur nëse Shtetet e Bashkuara do të jepnin informacione për biografinë e tyre. Por, ministri i Jashtëm çek, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, u shpreh para do kohësh se, secili nga vendet anëtare duhet të vendosë vetë nëse do të pranojë ose jo të burgosur. Menjëherë pas fillimit të punës si President i SHBA-së, Barack Obama lëshoi një urdhër ekzekutiv për të mbyllur brenda vitit burgun e Guantanamos, ku mbahen rreth 245 të dyshuar si terroristë.
Berisha: Nuk ka krizë ekonomike në Shqipëri
TIRANË- Përkundër deklaratës së drejtorit të FMN-së për programin me Shqipërinë, Gervin Bell, se përkeqësimi i ekonomisë globale do të sjellë një ulje më të madhe të rritjes ekonomike të Shqipërisë, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje gjatë konferencës për shtyp, se Shqipëria nuk është në krizë financiare, ndërsa shprehu bindjen se politikat ekonomike janë politikat më të mira antikrizë.
"Në të gjitha ballafaqimet mund t'u them se politikat ekonomike tonat janë politikat më të mira antikrizë. Së dyti, ne jemi taksëulët, jemi vendi me taksa më të ulëta në Evropë. FMN-ja, e cila po e monitoron krizën, sugjeron më shumë rritje shpenzimesh se sa ulje taksash. Për rastin e Shqipërisë jam dakord. Ne i kemi ulur taksat. Edhe shpenzimet. Çfarë do synojmë ne? Ne po ndjekim me vëmendje të madhe zbatimin e shpenzimeve, pa ndërmarrë rritje të mëtejshme të tyre, sepse janë të mëdha këto që kemi përcaktuar. Në tërësi do qëndrojmë brenda zotimeve që kemi marrë me FMN-në", - tha ai.