Guardiola: Barcelona,përtej imagjinatës!
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, vazhdon të qëndrojë i kujdesshëm, pavarësisht se pranon që gjigantët nga Katalonja janë në një pozicion të paimagjinueshëm përpara Krishtlindjeve. Barcelona e rriti në dhjetë pikë avantazhin me ndjekësit më të aftërt, pasi fitoi 2-1 në "El Madrigal", dhe Sevilja barazoi pa gola në Majorka. Fitorja ndaj "nëndetëses" do të thotë se Barça i ka fituar të pesta ndeshjet me rivalët e drejtpërdrejtë: Vilareali, Reali Madrid, Sevilja, Valencia dhe Atletiko e Madridit. Në 14 ndeshjet e fundit të kampionatit, Barcelona ka fituar 13 dhe ka barazuar një. Duke menduar se katalanasit e nisën sezonin me humbjen në Numansia dhe barazimin ndaj Santanderit, Guardiola e pranon se ky pozicion kalon edhe imagjinatën e tifozët më të zjarrtë. "Nëse do të kthehemi mprapsht në Soria, kur u mundëm nga Numansia, unë nuk do ta mendoja kurrë se do ta mbyllim vitin me një avantazh të tillë nga vendi i dytë. Jo vetëm unë, por as tifozi numër 1 i kësaj Barcelone nuk do ta kishte menduar ndonjëherë. Ka qenë një aventurë e këndshme, por rruga për t'u bërë mbetet ende e gjatë. Çdo ndeshje është e vështirë. Do të udhëtojmë në Huelva, Bilbao, Pamplona apo Santender, atje ku do të jetë njëlloj si të ndeshemi me pretendentët për titull." Barcelona e nisi fundjavën me tetë pikë avantazh, por Valencia u mund nga Reali i Madridit, Sevilja barazoi në Majorkë dhe djemtë e Guardiolës u ngjitën në +10. Ndeshja ndaj Vilarealit nuk ishte aspak e lehtë. Cani i kaloi në avantazh vendasit në fillimin e pjesës së dytë, por Keita barazoi menjëherë dhe Tierri Henri shënoi golin e fitores brenda 12 minutash. "Vilareali është skuadër fantastike dhe unë ndihem krenar për atë që bënë futbollistët e mi, - tha Guardiola. - Kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm. Kemi marrë 41 pikë, tani do të bëjmë pak pushim dhe të përgatitemi për muajt e fundit, ku na presin disa ndeshje "brutale"." Në katër ndeshjet e fundit (ndaj Seviljes, Realit, Valencia dhe Vilarealit) Barça ka shënuar 11 gola, duke pësuar vetëm një. "Kanë qenë katër fitore shumë të rëndësishme ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë. Por kampionati nuk është vetëm ndaj katër kundërshtarëve dhe na mbeten ende 20 ndeshje për t'u luajtur," - tha Samuel Eto. Sulmuesi nga Kameruni nuk shënoi në "El Madrigal", por vazhdon të kryesojë renditjen e golashënuesve në Primera Divizon, me tri gola më shumë se David Vila, 15 ndaj 13. "Duhet të vazhdojmë rrugën e nisur, sepse ata kanë ende mundësi të në arrijnë, - përfundoi Eto. - E mira është se sa më shumë ndeshje fitojmë, aq më pak mbeten për t'u fituar. Mentaliteti fitues është "çelësi" që na ka dhanë mundësinë të grumbullojmë këtë kuotë pikësh. Ndoshta mund të humbasin ndonjë ndeshje në të ardhmen, por përkushtimi vlen mbi gjithçka."