E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guardiola dhe Historia

Në daljet e tij të fundit para mediave si trajner i katalanasve, Pep Guardiola flet pikërisht në retrospektivë, për një bilanc të 4 sezoneve tek Barça.
 “Kurrë nuk kam pasur synim që të hyja në histori. As ditën e parë dhe as të fundit. Unë u përpoqa të ndërtoja vetëm historinë time brenda klubit. Thjesht doja ta bëja punën time sa më mirë që të ishte e mundur, si kushdo tjetër që bën një punë. Është koha që do të tregojë se kush kanë qenë më të mirët. Po ashtu, jeta ime dhe humori im nuk kanë ndryshuar nga titujt e fituar. Mendoja ndryshe kur isha lojtar, por më pas e kuptova”, deklaroi ai.

Vlerësimi për skuadrën e tij mbetet maksimal edhe pse maksimumi që mund të fitohet është Kupa e Mbretit në Spanjë.

 “Ne kemi bërë sërish një sezon të madh. Për 4 vjet me radhë ne kemi fituar rreth 90 pikë dhe sërish thuajse fituam edhe këtë herë. Kur një ekip bën 90 pikë për 4 vjet me radhë, do të thotë se është ekip i madh. Më mbetet vetëm t’u heq kapelen lojtarëve të mi. Vetëm një ekip mund të fitojë në fund dhe për të fituar duhet të kalosh kundërshtarin. Nuk ke ç’bën tjetër”, u shpreh Guardiola.

Mbeten edhe disa emocione për Guardiolën në stolin “blaugrana” dhe këtë fundjavë vjen derbi ndaj Espanjolit në “Kamp Nou”. Më tej, finalja e Kupës ndaj Bilbaos dhe pastaj pushimi që nuk besohet të jetë i gjatë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›