E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nejmar - jo per Murinjon

Një zë autoritar ka dalë kundër kalimit të yllit më shpresues të futbollit brazilian në Madrid. Ky është presidenti i Santosit, Alvaro Ribeiro, i cili nuk dëshiron në asnjë mënyrë që Nejmar të vihet nën urdhërat e Zhoze Murinjos. Është paksa i habitshëm arsyetimi i Ribeiros për këtë këshillë që i jep 20-vjeçarit.
“Nuk e imagjinoj dot Nejmarin duke punuar me një trajner që ka si moto të tij disiplinën, - theksoi numri 1 i Santosit, - më hyjnë drithërimat kur e mendoj. Nëse ai do të shkonte tek Reali, Murinjo do të firmoste fundin e njërit prej talenteve më të mëdhenj të botës”.
Në të vërtetë, pak besohet që në ndonjë klub tjetër të Europës të mungojë disiplina si moto, por ndoshta Ribeiro do të kishte bërë mirë të kishte theksuar ndryshimin e mentalitetit mes Realit të Murinjos dhe Barcelonës.
Nejmar ka kontratë me klubin e tij deri në vitin 2014 dhe i ka hedhur poshtë të gjitha ofertat që i janë bërë, pasi dëshiron ta respektojë kontratën deri pas kampionatit botëror të vitit 2014 që zhvillohet në Brazil.
Më tej, ai me shumë gjasa do të shkojë tek Barcelona me të cilën thuhet se ka një parakontratë, ndërsa talenti brazilian kurrë nuk e ka fshehur admirimin për skuadrën katalanase dhe superyllin e saj, Lionel Mesi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›