E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kelmendi e dyzuar

Me 820 pikë të grumbulluara dhe me vendin e 6-të në renditjen botërore në peshën e saj në xhudo, Majlinda Kelmendi e ka siguruar zyrtarisht pjesëmarrjen në Lojrat Olimpike të kësaj vere në Londër. Federata Botërore publikoi renditjen në faqen e saj dhe kjo i jep fund dilemave lidhur me xhudisten pejane.
Problemi i vetëm që mbetet të zgjidhet është se për kë flamur do të garojë Kelmendi në kryeqytetin britanik. Më 23 maj, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO) merr në shqyrtim mundësinë që Kosova të marrë ose jo pjesë në Olimpiadë. Federata Botërore e Xhudos e ka njohur si anëtare të saj Federatën e Xhudos të Kosovës dhe kjo jep shpresë, por nëse Kosovës nuk i njihet e drejta për të marrë pjesë në Londër 2012, atëherë Kelmendi mund të marrë pjesë si përfaqësuese e Shqipërisë.
Ndërkaq, ekipi olimpik shqiptar do të ketë edhe një qitës në radhët e tij në Lojrat Olimpike që do të zhvillohen këtë verë në Londër. Qitësi do të shkojë me ftesë në Londër dhe do të jetë mashkull. 
Deri tani, ekipi olimpik kuqezi ka 11 sportistë në Londër, nëse Kelmendin do ta veshim kuqezi, duke u barazuar me ekipin që mori pjesë në Pekin në vitin 2008.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›