Guardiola, fitues falë sekreteve të pesë trajnerëve të mëdhenj
Triumfi në Champions ka kurorëzuar një person që cilësohej i papërshtatshëm për të drejtuar një skuadër të madhe. Aventurën si lojtar Pep Guardiola e nisi në Akademinë e Barcelonës dhe ndërtoi një karrierë, falë së cilës arriti në "majë" të Evropës. Edhe aventura e tij si trajner ka startuar në skuadrat e të rinjve të klubit katalan, por brenda një viti, pikërisht në debutimin me skuadrën "A", 38-vjeçari fitoi gjithçka: Kampionatin, Kupën e Spanjës dhe Champions League. Arritja më e madhe në historinë e lavdishme të klubit "blaugrana". Në fillim të edicionit, largoi Dekon dhe Ronaldinjon, por me Mesin, Ksavin, Iniestën, Eto‘o dhe Henri ai krijoi atë që pa asnjë dyshim është Barça më e mirë e të gjitha kohërave. Një skuadër që pas 156 golave të shënuar ka fituar tri trofe. Guardiola ka vjedhur sekretet e zanatit nga pesë "mjeshtër" si Krujf, Van Gal, Kapelo, Bobi Robson dhe Maxone dhe ka vënë në zbatim mësimet e tyre. Një përzierje e futbollit antik me idetë e reja: trajneri ideal që praktikon lojën e bukur dhe di të fitojë.