"Hamdi Salihi te Shturmi i Gracit? Vetëm fantazi"
Me kampionatin austriak që zhvillon aktin e fundit të këtij sezoni, emri i Hamdi Salihit është sërish njëri prej më të lakuarve në merkato. Me 13 gola në 27 ndeshje të luajtura për Ried, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka qenë një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës së drejtuar nga trajneri Pol Gludovatz. Paraqitja e tij nuk u ka shpëtuar disa klubeve të njohura, ku interesimi më i fundit ka qenë nga gjigandët e Çekisë, Sparta e Pragës. Por, sipas spekulimeve, shkodrani kërkohet edhe nga Shturmi i Gracit, që aktualisht renditet i treti në Bundesligën austriake dhe shpreson një vend në Europa League. Gjithsesi, këto zëra janë hedhur poshtë nga menaxheri i klubit, Shtefën Rajter. "Transferimi i Salihit te Shturmi? Sa herë që vjen periudha e merkatos, rreth sulmuesit tonë ka shumë spekulime. Kjo na bën të mos shqetësohemi", sqaroi ai. "Mund të konfirmoj se deri më tani për këtë lojtar janë interesuar vetëm skuadra që nuk luajnë në Austri. Zërat se edhe Shturmi i Gracit e kërkon Salihin po i dëgjoj për herë të parë, pasi askush nga ky klub nuk ka kontaktuar me ne, për të diskutuar rreth situatës së shqiptarit".