E Diel, 1 Nëntor 2026

Kotbuz i Ervin Skelës me një këmbë në Bundesligën II

Pas Edmond Kapllanit edhe një tjetër futbollist shqiptar rrezikon t‘i japë lamtumirën elitës së futbollit gjerman. Në fakt, Ervin Skela dhe Energi Kotbuz janë fare pranë rënies në Bundesligën II: skuadra e drejtuar nga Bojan Prasnikar humbi 0-3 në shtëpi me Nyrembergun, në ndeshjen e parë "play-off". Falë dy golave të Boakje (në minutat 13 e 89) dhe rrjetës së Eigler (56), miqtë pothuajse e kanë siguruar një vend në Bundesligë. Takimi i kthimit luhet të dielën në orën 15:30, por fati i fantazistit kuqezi dhe ekipit të tij duket i shënuar, pasi përmbysja është thuajse e pamundur. Në sfidën e djeshme, Skela nuk ka mundur të jetë deciziv për ekipin, ashtu si ka ndodhur në javët e fundit të kampionatit. Falë kualitetit të vlonjatit, ata fituan në javën e fundit me Leverkusen dhe evituan rënien direkte nga Bundesliga. Nëse Kotbuz bie nga kategoria, Skela bëhet automatikisht lojtar i lirë dhe do të kërkojë një tjetër klub për t‘u aktivizuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›