Mllefi, Ronaldo kundër Ferguson: Nuk ishim vetja, taktikë e gabuar
Që të pranosh një humbje nuk është e thjeshtë, sigurisht këtë ne nuk po e zbulojmë sot. Por Kristiano Ronaldo ndoshta po. Dhe kështu portugezi, pasi ka arkëtuar dështimin në finalen e Champions League kundër Barcelonës, duket se nuk mban dot më. "Topi i Artë" 2008 as nuk e çonte në mendje humbjen në përballjen me Lionel Mesin. Por në fund triumfoi pikërisht argjentinasi. Dhe Kristiano Ronaldo tashmë vjell vrer. Sulmuesi i Mançester Junajtid i është kundërvënë Sër Aleks Fergusonit, të cilin e shikon si njeriun që e përgatiti në mënyrën më të keqe skuadrën kundër katalanasve. "Nuk kemi luajtur aspak mirë, ka deklaruar Ronaldo. Plani i lojës nuk ishte i mirë, ndaj gjithçka shkoi si mos më keq. Bëmë një lojë të mirë vetëm për 10 minutat e para. Që aty e më pas nuk ishim më vetvetja". Por jo vetëm kaq. Luzitani, krejt ndryshe nga të gjithë "Red Devils"-at e tjerë, i kursen komplimentet për kundërshtarin. "Duhet t‘i japim meritat Barcelonës, ka nënvizuar ai. Por duhet të kujtojmë se kanë qenë me fat. Kundër Çelsit nuk e meritonin të kualifikoheshin, por ja që ata erdhën në finale. Tashmë të gjithë e kanë harruar, por ja që kështu ndodhi". Ndërsa nuk mund të mungonte një prononcim në lidhje me të ardhmen e tij. "Për sa i përket të ardhmes nuk dëshiroj të flas tani. Si fillim dua të shkoj me pushime, që të relaksohem. Jam vërtet i lodhur, kam luajtur shumë, nën një presion të madh. Më pas të shikojmë se çdo të ndodhë". Por a do të jetë një prishje përfundimtare me Mançester Juanjtid, këtë do ta zbulojmë së shpejti, edhe pse ka ende mundësi për të vënë bast mbi faktin se shtypi spanjoll nuk do të vonojë të stërhollojë deklaratat e Kristiano Ronaldos. Megjithatë, Sër Aleks Ferguson bën sikur nuk dëgjon dhe përqendrohet te justifikimet. "Mendoj se, nëse do të kishte qenë edhe Fleçeri, ne do të kishim fituar", ka deklaruar bosi i Mançester Junajtid. Ndërkohë që edhe menaxheri skocez i "Djajve të kuq" ka diçka të përbashkët me Kristiano Ronaldon. Një mungesë dëshire dhe aftësish për të pranuar humbjen.