E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gurakuqi: Berisha të shkarkojë Ndokën, nuk përfaqëson PDK-në

Akuzat dhe kundërakuzat mes rrymave të ndryshme në Partinë Demokristiane, duket se nuk kanë të reshtur. 

Njëri prej kryetarëve të kësaj force, Anton Gurakuqi, i ka kërkuar dje kryeministrit Berisha që të shkarkojë ministrin e Shëndetësisë, Nard Ndoka, pasi sipas tij, drejtimi i ministrisë nga Ndoka po shkakton probleme të mëdha. "Edhe një herë i bëjmë thirrje kryeministrit Berisha që sa më parë të largojë nga detyra e ministrit të Shëndetësisë Nard Ndokën, pasi qëndrimi i tij i mëtejshëm në Ministrinë e Shëndetësisë vazhdon të krijojë probleme të shumta dhe me pasoja edhe për jetën e qytetarëve, të cilët kanë probleme serioze shëndetësore", thuhet në deklaratën e Gurakuqit. Në të njëjtën kohë, sipas tij, "Ish-kryetari Ndoka nuk përfaqëson më Partinë Demokristiane. Deputetët Ymer Tola, Hamit Kosta dhe së fundi Gilman Bakalli nuk kanë pasur e nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokristiane dhe nuk përfaqësojnë PDK-në. Ndoka dhe disa deputetë rreth tij janë një "sajesë" parlamentare që synojnë vetëm presionin ndaj kreut të maxhorancës Berisha dhe të Partisë Demokratike për përfitime personale". Por nga ana tjetër, akuzat duket se nuk i bëjnë përshtypje kreu aktual të PDK-së, Nard Ndoka, i cili ka bërë të ditur dje përmes një deklarate për shtyp se, grupit parlamentar i është bashkuar edhe Gilman Bakalli, duke e çuar grupin në 8 deputetë. Ndërkohë nga grupi parlamentar i PDK-së, është larguar Pashko Ujka, i cili u përjashtua pak ditë më parë nga funksioni i kreut të grupit parlamentar. "Kryesia Demokristiane diskutoi edhe mbi situatën politike në vend dhe konfirmoi dështimin e fushatës politike për përçarjen e PDK-së. Shembulli më i mirë për këtë është vendimi i deputetit të Parlamentit, përfaqësues i të djathtës në Shkodër,  Gilman Bakalli, për t'iu bashkuar grupit parlamentar të PDK-së", citohet në deklaratën e PDK-së. Njëkohësisht bëhet e ditur se Ndoka i ka çuar kryeministrit Berisha emrat e dy zv/ministrave të rinj, Aida Joanidhi dhe Vladimir Beja për postet e Integrimit dhe Ministrisë së Jashtme. "Në përputhje me marrëveshjen politike me partitë e koalicionit qeveritar, kryesia e PDK-së propozoi për zv/ministra të rinj, personalitetet e njohura demokristiane dhe nënkryetarët e saj, Aida Joanidhi dhe Vladimir Beja. Propozimet i janë dërguar sot në rrugë zyrtare kryeministrit", thuhet më tej në deklaratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›