E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Duam dëmshpërblim për shtëpinë”

Kamioni mbi shtëpinë e Ndue Laskës ka mbetur ende si dëshmitar i rrëzimit një natë më parë me 10 tonë dinamit. 

MIRDITE / ROLAND NIKOLLI

Por, ndonëse rreziku i shpërthimit u shmang me shpejtësi, pasi ekspertët arritën ta largonin në kohë, mjetin nuk kanë mundur të nxjerrin nga vendi ku ra, në fshatin Bisak të Mirditës. I zoti i shtëpisë, i cili jeton prej më shumë se 40 vitesh në godinën dykatëshe thotë se e prisnin një gjë të tillë, pasi distanca me rrugën është vetëm 3 metra. Bashkë me familjarët e tij është akoma i tronditur nga momenti kur eksplozivi ra mbi oborr, ndërsa ka ndjekur me ankth orët e largimit të pakove të dinamitit.
Mund të tregoni sesi e përjetuat momentin e aksidentit?
Isha në shtëpi së bashku me gruan, nusen e djalit dhe nipat. Kemi qenë gjashtë vetë në katin e parë të shtëpisë. Po hanim darkë kur dëgjuam zhurmën, shtëpia u lëkund, nisën plasaritjet e suvaja po binte. Të lemerisur kemi marrë fëmijët dhe dolëm përjashta, pasi kujtuam se kishte rënë tërmet. Te dera e shtëpisë pamë që kishte lëndë plasëse dhe gjithandej vinte erë dinamit. Na shkoi mendja se i kishin vënë eksploziv shtëpisë dhe në momentin që po largoheshim dëgjuam thirrjet për ndihmë. Vetëm atëherë pamë makinën dhe dy personat brenda saj të plagosur. I nxorëm dhe më pas erdhi ambulanca, që i çoi në kampin e firmës "Bechtel" në Fan për t'u mjekuar.
E mësuat se pse ndodhi aksidenti?
Më thanë se ishin duke u ndërruar dy makina, rruga është e ngushtë dhe kamioni me gjithë lëndën plasëse kishte rrëshqitur.
Si u grumbullua eksplozivi dhe a patët frikë në ato momente?
Pas ngjarjes erdhën banorët e zonës dhe përfaqësuesit e firmës. Të parën gjë që bënë ishte izolimi i lëndës plasëse e më pas mbledhja e saj, duke e transportuar me makina të tjera. Kishim frikë se nga çasti në çast eksplozivi mund të shpërthente dhe do të përsëritej një Gërdec i dytë. Asnjë nga pjesëtarët e familjes, me përjashtim të djalit nuk mbajta në shtëpi, nga frika se një cigare apo shkëndijë mund të shkaktonte një katastrofë. Të them të drejtën, kur e pashë se ishte i mbështjellë me letra të holla dhe në karton, nuk u besova syve, dhëntë zoti të mos ndodhë gjë.
Cili ishte reagimi i firmës "Bechtel Enka"?
Asgjë nuk na kanë premtuar, ndërsa shtëpia është dëmtuar, sidomos kati i dytë. Ne kemi kërkuar edhe më parë që të parandalohej një situatë e tillë. Meqenëse rruga është vetëm 3 metra nga shtëpia dhe kalon mbi shtëpinë tonë, kemi kërkuar që firma apo shteti të ndërtojë një mur pritës ose të na dëmshpërblejë banesën dhe të largohemi nga kjo shtëpi. Kjo nuk ndodhi dhe ja pasojat.
Kur e keni ngritur ju shtëpinë?
Shtëpinë e kam ndërtuar që në vitin 1965, kur nuk kalonte rruga afër shtëpisë. Më vonë është ndërtuar rruga, ku kalonin rrallë makina dhe jo të një tonazhi kaq të madh. Pas nisjes së autostradës po kalojnë vetëm makina të tonazhit të madh dhe sa herë që kalojnë ato shtëpia shkundet.
Cilat janë hapat që do merrni për riparimin e shtëpisë?
Ne po presim një përgjigje nga firma. Nëse ata nuk na përgjigjen do i drejtohemi prokurorisë dhe njëkohësisht së bashku me fëmijët do bllokojmë rrugën, pasi shtëpinë na e shembën. Tani më mirë të na shtypin, t'u japim edhe jetën. Nuk do lejojmë lëvizjen e makinave për të ndërtuar rrugën, madje nëse për tre ditë nuk marrim asnjë përgjigje ne do dalim në rrugë.

Reagon "Bechtel-Enka"

Firma e ndërtimit të autostradës Durrës-Kukës, "Bechtel-Enka", në një reagim pas ngjarjes deklaroi se, po punon bashkë me pronarin e shtëpisë për të riparuar dëmet. "Shtëpia ka disa dëme të vogla si pasojë e aksidentit. "Bechtel-Enka" u ka ofruar strehim banorëve të shtëpisë, derisa vendi të pastrohej nga lënda plasëse dhe do të riparojmë dëmet. Ekipi i "Bechtel-Enka" iu përgjigj menjëherë si dhe u dha ndihmën e nevojshme autoriteteve për të pastruar vendin ku u rrëzua mjeti".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›