E Diel, 1 Nëntor 2026

Gurakuqi: Mbi 30% e kandidatëve në zgjedhje, të jenë femra

Partia Demokristiane e Shqipërisë sjell sërish në vëmendjen politike, çështjen e përfaqësimit të gruas në Kuvend. Gjatë një deklarate për mediat kryetari i PDK-së Anton Gurakuqi deklaroi se referuar Kodit të ri zgjedhor, parashikohet një rritje e nivelit të gruas në vendimmarrjen politike duke synuar, Kuvendin e Shqipërisë në nivelet e një balance gjinore. Ai vuri në dukje se për këtë çështje PDK kërkon nga klasa politike seriozitetin e duhur për realizimin e nenit përkatës në Kodin e ri zgjedhor që parashikon 30 përqind femra në parlament. “Po kështu në këtë rast, është e rëndësishme ndërgjegjësimi i partive politike për efektet e realizimit të një ideje të tillë”, tha Gurakuqi. Sipas tij, PDK është një parti që në programin e saj ka si bazë, Mbrojtjen e Jetës, Familjen e Shenjtë dhe dinjitetin njerëzor. “Për PDK, të drejta të barabarta nënkupton që çdo njeri ka të drejtën e vet të zhvillojë personalitetin si qenie njerëzore unike. Synimi i politikave tona është krijimi i kushteve për të drejta të barabarta midis burrave dhe grave. Ne jemi të vendosur të eliminojmë pabarazinë e ç’do lloji që ekziston, në familje, në punë, sikurse edhe në politike. PDK beson se kemi nevojë që gratë të marrin më shumë pjesë në jetën politike dhe organizimet e tjera shoqërore, pasi në këtë formë ato do të sjellin përvojën e tyre të veçantë. Për demokristianët, partneriteti në politikë nënkupton që gratë dhe burrat secili prej tyre vlerëson atë çfarë sjell në kuptim të njohurive, përvojës, gjykimit dhe vlerësohet reciprokisht në procesin e vendimmarrjeve politike”, nënvizoi Gurakuqi. Më tej, ai theksoi se në zgjedhjet e 2009-s, kandidate për deputetë të PDK-së, nuk do të jenë 30 përqind femra, por shumë më tepër, duke arritur në nivelet mbi 40 përqind. “Ne ftojmë të gjitha partitë politike në vend, që të mendojnë më seriozisht për barazinë gjinore në politike, dhe që ide të tilla të reklamuara publikisht të mos mbeten vetëm retorika boshe dhe thjesht një teori. Mungesa e femrave në parlament duket të marrë fund në zgjedhjet e ardhshme, dhe si rrjedhojë edhe standardi i politikë bërjes në vend duhet të ndryshojë. Pas përfundimit të kodit, bëhet e domosdoshme sikurse edhe urgjente implementimi i plotë i këtij dokumenti të rëndësishëm për mbarëvajtjen e zgjedhjeve”, shtoi kreu i PDK-së Anton Gurakuqi. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›