Meta: Progres-raporti i BE kritikon qeverinë për mungesën e një strategjie të qartë për reformën në drejtësi

Kreu i komisionit Parlamentar të Integirmit, Ilir Meta ka deklaruar dje se qeverisë i mungon një vizion dhe strategjie e gjerë për reformën në drejtësi e cila shihet si
e lidhur ngushtësishjt edhe me luftën ndaj korrupsionit. Komisioni i Integrimit ishte mbledhur dje për të diskutuar rreth Raport- progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë ndërsa kishte thirrur për të raportuar Ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila pasi bëri për deputetët një përmbledhje të raportit, iu përgjigj pyetjeve të tyre lidhur me çështje të ndryshme që trajtohen në raport, si pavarësia e institucioneve, reforma në drejtësi, korrupsioni, pavarësia e mediave apo çështja e liberalizimit të vizave. Gjatë mbledhjes pati mjaft debate në mes të ministres së Integrimit, Bregu dhe deputetëve të opozitës, sidomos përsa i përket problemit të korrupsionit dhe lirisë së medias. Duke përmendur disa konstatime të Raport- progresit, shqetësimit që kanë të bëjnë me pavarësinë e institucioneve kushtetuese, pavarësinë e gjyqësorit, me nivelin e ulët të ekzekutimit të vendimeve të përmbarimit, buxhetit të pamjaftueshëm për gjykatat, apo dhe shqetësimi lidhur me moskonsultimin e gjerë të projektligjit për prokurorinë, Meta kërkoi nga ministrja Bregu, sesi i lexon qeveria këto shqetësime të shprehura edhe në Raport -progres. Në përgjigje të shqetësimit të ngritur nga kryetari i komisionit Meta, ministrja e Integrimit ka pohuar se gjyqësori dhe drejtësia është një problem madhor, e një reformë që bëhet me konsensus. Përsa i përket pyetjes së tij se pse mungon një strategji e gjerë për drejtësinë, Bregu tha se në Shqipëri mungon kultura juridike për një gjë të tillë. Ndërkohë, ajo ka pranuar se buxheti për gjyqësorin është i pamjaftueshëm, duke thënë se, “buxheti nuk mjafton asnjëherë për askënd”. “Askush nuk mund të thotë se “jam i kënaqur”- theksoi Bregu. Ndërkaq Meta gjatë një komunikimi me gazetarët në përfundim të kësaj mbledhjeje deklaroi se progres- raporti i BE-së shprehet qartë që mungon një vizion për reformën në drejtësi dhe në gjyqësor. “Mendoj se ky është edhe thelbi i shqetësimit më të madh për të ardhmen, ashtu sikurse tregohet qartë që mbështetja në buxhet, për funksionin e gjykatave, është krejtësisht e pamjaftueshme, niveli i ekzekutimit të vendimeve nga përmbarimi është tepër i mangët dhe në përgjithësi ka probleme me funksionimin e gjyqësorit. Sepse, kur theksojnë gjithë këto probleme që kanë të bëjnë me gjyqësorin, që kanë të bëjnë me pavarësinë e institucioneve kushtetuese, atëherë ç’garanci mund të ketë se vërtetë korrupsioni është luftuar apo mund të luftohet më shumë në të ardhmen. Mendoj që kjo shtyllë shumë e rëndësishme e shtetit të së drejtës ka nevojë për t’u mbështetur në pavarësinë dhe efikasitetin e saj për të evituar ato ndërhyrje që vazhdimisht kanë ndodhur nga qeveria përsa i takon hetimeve të ndryshme. Pra, progres raporti lexohet në këndvështrime të ndryshme. Mendojmë që entuziami i qeverisë është i pavend, sepse problemet janë tepër të mëdha”- përfundoi Meta.
...