E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gurra e akuzave per trafik, protestë kundër Del Pontes

“Na kanë akuzuar rëndë, duke shkelur besën dhe nderin", thone banore te indinjuar për akuzat që pala serbe bën ndaj fshatit të tyre, duke e konsideruar një nga shtëpitë e fshatit si bazë për transplantin e organeve gjatë luftës së Kosovës 

DIBER-Banorët e Gurrës protestuan dje për akuzat që pala serbe bën ndaj fshatit të tyre, duke e konsideruar një nga shtëpitë e fshatit si bazë për transplantin e organeve gjatë luftës së Kosovës. Të mbledhur në qendër të këtij fshatit, banorë të tij dhe të Burrelit si dhe deputeti i zonës, Qemal Minxhozi, kërkuan njëzëri zbardhjen e së vërtetës nga autoritetet shqiptare dhe një angazhim më të madh të diplomacisë shqiptare në hedhjen poshtë të këtyre akuzave. Në këtë tubim të organizuar, mori fjalën dhe Abdullah Katuci, i zoti i shtëpisë, në të cilën serbët thonë se janë kryer transplante organesh të serbëve të zënë rob nga ushtria e shqiptarëve të Kosovës. 74- vjeçari Katuci hodhi poshtë akuzat ndaj familjes së tij, fshatit, por edhe Shqipërisë. Ai në fjalën e tij, i konsideroi serbët “vrasës dhe kriminelë”, Nga ana e tij, kryetari i komunës Gurrë, Sali Celami, tha se kërkonte nga autoritetet shqiptare zbardhjen e së vërtetës dhe zyrtarisht t’i hedhin sërish poshtë akuzat e bëra ndaj fshatit të tyre. Në këtë protestë e mori fjalën dhe deputeti i zonës, Qemal Minxhozi, që ishte i pari që kërkoi në Parlament jo vetëm zbardhjen e së vërtetës, por edhe reagim nga ana e qeverisë shqiptare.
“Na kanë akuzuar rëndë, duke shkelur besën dhe nderin, traditat dhe institucionet e tjera të shenjta që këto zona i kanë njohur dhe respektuar prej shekujsh. Mediat dhe politika serbe, e nxitur nga lajthitjet e pakuptimta dhe dashakeqe te ish-prokurores se Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, po mundohen të krijojnë një përrallë të madhe, e cila ngrihet thjesht mbi fantazinë e sëmurë dhe mbi realitete që nuk ekzistojnë askund”, - u shpreh deputeti.
Sipas tij, serbët po bëjnë një gabim historik, duke e akuzuar Gurrën si vend ku transplantoheshin organet e serbëve apo si varrezë masive e tyre. Minxhozi theksoi se historia është krejt tjetër dhe se të persekutuari, gjatë gjithë historisë së bashkëjetesës, kanë qenë shqiptarët dhe jo serbët. “SHBA-ja dhe vendet e tjera të Aleancës e dinë fare mirë se cilët kanë qenë xhelatët e Ballkanit, se cilat kane qenë doktrinat nacionaliste që i kanë frymëzuar dhe shtyrë ata drejt krimesh të tmerrshme në të gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, nga Kosova e deri në Bonje e Kroaci”, - tha Minxhozi. Ai, në fjalën e tij e hoqi Kosovën, por edhe Shqipërinë, nga lista e zezë e krimeve të luftës dhe tregoi si kriminelë vetëm serbët. Minxhozi më tej shtoi se në Gurrë ka aq shumë dëshmitarë të gjallë, të cilët mjaftojnë për të hedhur poshtë akuzat e serbëve, apo të ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte. “Me kaq shumë dëshmitarë të gjallë, është e pamundur të akuzosh një popull dhe ta skedosh atë në lista kriminale”, - deklaroi Qemal Minxhozi, deputeti i zonës.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›