E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morinë, rritet fluksi i lëvizjeve për në Kosovë

Pika kufitare e Morinit është e mbingarkuar këto ditë festash. Sipas policisë kufitare është pesëfishuar numri i personave që kalojnë në Kosovë nga Shqipëria. Emigrantët që udhëtojnë me automjetet e tyre, kanë shprehur rezerva për rrugën e prishur 

KUKES- Burime nga policia kufitare në Morinë të Kukësit bëjnë të ditur se është pesëfishuar numri i personave që kalojnë në Kosovë krahasuar me ditët e zakonshme. Kjo ka ardhur si rezultat i kalimit transit të emigrantëve kosovarë që punojnë e jetojnë në vendet perëndimore dhe shkojnë në Kosovë tek të afërmit e tyre për festat e fundvitit. Por sipas emigrantëve që udhëtojnë me automjetet e tyre, problem vazhdon të mbetet aksi rrugor Kukes-Morinë, ku si pasojë e punimeve në rrugë ka rrezik për aksidente.
Emigrantët kosovarë kanë shprehur rezervat e tyre për gjendjen tejet të amortizuar të kësaj rruge, ndërkohë që segmente të saj në shumë raste janë devijuar dhe nuk janë vendosur tabelat parandaluese.
Mungesa e sinjalistikës që është detyrë e firmave ndërtuese bëhet shkak për aksidente sidomos për ato drejtues automjetesh që e shkelin këtë rrugë për herë të parë, ku shumë prej tyre kanë humbur rrugën duke hyrë në segmentet e rrugës së re. Policia rrugore e Kukesit deri tani nuk ka bërë asnjë presion ndaj firmave ndërtuese për të zëvendësuar sinjalistikën e shkatërruar dhe për të vendosur shenjat treguese në rrugët e devijuara dhe në pikat e rrezikut të krijuara si pasojë e punimeve në rrugë.

(O.Zh/ BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›