Mbytet në det pushuesi nga Tirana
Shkon të pushojë me familjen, mbytet në ujërat e Adriatikut.
Ngjarja ndodhi pas mesditës së të enjtes në zonën detare të Gjirit të Lalëzit, në veri të qytetit bregdetar të Durrësit. Burime nga policia e Durrësit bënë të ditur se 43-vjeçari Kadri Hasani ka qenë duke u larë në det, po nuk ka mundur të dalë më prej tij në rrethana ende të panjohura. Një problem me zemrën, një ngërç që i ka bllokuar lëvizjen e gjymtyrëve dhe të notuarit, apo rënia në ndonjë thellësi të papritur mendohet paraprakisht të jenë shkaqe të mundshme të mbytjes së pushuesit. Së bashku me familjen 43-vjeçari ka qenë duke pushuar në një nga komplekset turistike të Gjirit të Lalëzit. Ai është futur në det për t’u larë. Ndërkohë, trupi i tij është mundur të gjendet vetëm 5 orë pas ngjarjes. Rreth orës 13:00 të së enjtes, policia e Durrësit ka kërkuar ndihmën e palombarëve të forcave special të Tiranës që kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupit të Hasanit. Operacionet e kërkimit kanë vazhduar për disa orë, derisa rreth orës 18:20 është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të 43-vjeçarit tiranas. Në këtë pjesë të Adriatikut deti rezervon disa gropa të thella nën ujë dhe mendohet se në një prej tyre ka rënë viktima që mund të jetë trembur pa mundur të reagojë e të dalë mbi ujë. Dyshohet edhe për një atak kardiak, po do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të përcaktojë dhe shkakun e mbytjes së pushuesit nga Tirana.