Trojet në bregdet, më 10 gusht nis procesi i privatizimit

Qeveria nisi dje konkretizimin e projektit për privatizimin e trojeve në fshatrat turistike, në zbatim të ligjit “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, të miratuar në fundin e vitit të shkuar. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale njoftoi dje se dorëzimi i kërkesave për privatizim do të nisë në datën 10 gusht dhe do të zgjasë deri më 10 tetor të këtij viti. Koordinatorja ligjore pranë ALUIZNI-t, Jeta Velaj, shpjegoi edhe procedurën që duhet të ndjekin të gjithë të interesuarit për këtë proces. “ALUIZNI njofton personat e interesuar, se prej datës 10 gusht 2010 nis procedura e plotësimit të kërkesës për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin e njësive të ndërtuara në zonat e stimuluara me përparësi turizmin në përputhje me ligjin 10186 datë 5/11/2009. Kërkesat paraqiten pranë drejtorisë qendrore të ALUIZNI-t, brenda 60 ditëve nga nisja e procedurës”, theksoi Velaj. Sipas saj të drejtën për të paraqitur kërkesë e kanë subjektet e interesuar, personat fizikë apo juridikë, të cilët gëzojnë njësinë e ndërtuar dhe që kanë kryer një veprim juridik të drejtpërdrejtë ose të rrjedhur me personin e stimuluar për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar të ngritur brenda zonës së stimuluar. “Të drejtën për të paraqitur kërkesë e kanë edhe personat e stimuluar, personat fizikë apo juridikë, që kanë lidhur marrëveshje qiraje me qiradhënësin apo autoritetin shtetëror”, shpjegoi përfaqësuesja e ALUIZNI-t. Nga ky proces pritet të përfitojnë me dhjetëra familje, të cilat kanë ndërtuar në një hapësirë tokë prej 23.5 hektarë në bregdet. Ndërtimet, të cilat tashmë pritet të privatizohen, janë kryesisht fshatrat turistikë të ndërtuara në bregdetin e vendit nga kompanitë private. Kundër këtij ligji janë shprehur në mënyrë të hapur përfaqësuesit e opozitës në vend dhe nga ana tjetër edhe shoqatat e ish-pronarëve të tokës. Në mënyrë të përsëritur, qeveritë në vend kanë deklaruar se një pjesë e tokave në bregdet, do të jepeshin për kompensimin fizik të ish-pronarëve, por deri tani asnjë e tillë nuk ka ndodhur dhe kompensimi fizik si proces ende nuk ka nisur.
#