Komuna Shalë, Balla: Berisha nuk heq dorë nga vjedhja
TIRANË Kërkesa ankimore e Partisë Demokratike për zgjedhjet në komunën Shalë, ku kandidati i PS-së fitoi dy vota më shumë sesa ai i PD-së, ka sjellë edhe reagimin e parë të selisë rozë, përmes deputetit, Taulant Balla. “Sali Berisha nuk heq dorë nga vjedhja e zgjedhjeve. Sali Berisha, partia dhe makineria e tij zgjedhore, po mbajnë peng zgjedhjet lokale, sepse duan të vjedhin edhe mandatin e komunës Shalë në qarkun Shkodër.
Pasi urdhëroi përdorimin politik të çdo institucioni shtetëror, pasi keqpërdori ditën e zgjedhjeve policinë e shtetit, me forca speciale dhe helikopterë, pasi i numëroi vetë votat nga Ristani i tij në Komisionin Qendror të Vjedhjeve, pasi të gjithë shqiptarët panë fitoren e kandidatit tonë edhe në komunën Shalë, Saliu nuk e pranon humbjen dhe po rivë në veprim skemën e vjedhjes në bashkëpunim të mandatit nga Kolegji dhe KQZ-ja”,- tha dje përmes një deklarimi për mediat, deputeti Balla. Duke iu referuar rekomandimeve të fundit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet lokale e veçanërisht kritikave, që iu adresuan Kolegjit Zgjedhor, Balla tha se ky institucion, nuk ka më legjitimitetin për të gjykuar asnjë proces zgjedhor. “Është mëse e qartë se në Shqipëri, Komisioni Qëndror i Vjedhjeve dhe Kolegji, shkatërruan zgjedhjet lokale të 8 majit, ashtu siç identifikohet shprehimisht nga raporti i OSBE/ODIHR-it dhe nuk kanë më asnjë legjitimitet për të gjykuar asnjë proces zgjedhor”, - tha Balla.