E Diel, 1 Nëntor 2026

Guvernatori i ri, Fullani kandidati favorit i PD dhe presidentit Topi

Kreu i BSh duket se ka marrë mbështetjen paraprake të mazhorancës për një mandat të dytë. Edhe Presidenti e ka lënë të hapur mundësinë e rizgjedhjes, duke vlerësuar mandatin që po mbaron

Për guvernatorin Ardian Fullani sfida në krye të Bankës së Shqipërisë nuk ka mbaruar ende. Një mandat të dytë ai e ka cilësuar vetë ai si një kontribut të shtuar, duke negociuar jo pak për një tjetër shtatëvjeçar në krye të Bankës. Burime nga mazhoranca deklaruan dje për gazetën “Mapo” se Fullani me shumë gjasë do të gëzojë një tjetër mandat, pas mbështetjes paraprake që ai ka marrë nga PD-ja dhe jo vetëm aq. Edhe nga presidenti Topi duket se ai gëzon një mbështetje të konsiderueshme, sa kohë që në listën paraprake të emrave, që përfliten për t’u dorëzuar në Kuvend për Këshillin Mbikëqyrës, ai do të jetë më i favorizuari. Pak kohë më parë, pas një analize ekonomiko-financiare, i pyetur nga media pikërisht për këtë çështje, Fullani la qartazi të hapur mundësinë për rikandidim, duke theksuar se sfida e tij nuk ka përfunduar ende.

Zgjedhja e Fullanit

Në fund të muajit tetor, plot 7 vjet më parë, Fullani u propozua nga ish-presidenti Alfred Moisiu si guvernatori i ardhshëm i Bankës së Shqipërisë. Ai u miratua me shumicën e votave në Kuvend, duke vijuar ta ushtrojë këtë funksion për 7 vite me radhë. Ndërkohë, në fillim të këtij muaj, 5 prej 9 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, u ka mbaruar mandati e konkretisht: Ardian Fullanit, Ksenofon Krisafit, Tefta Cucit, Fatos Ibrahimit dhe Ardian Civicit. Neni 44 i ligjit për Bankën e Shqipërisë citon se Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, ku përfshihet edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Për pasojë, Partia Demokratike pritet të përfshihet në një garë të ethshme për të zgjedhur, së pari emrat e Këshillit Mbikëqyrës, nga ku Presidenti i Republikës do të jetë i detyruar të zgjedhë një prej tyre. Që Fullani të rikandidojë për postin e guvernatorit, duhet më së pari që të zgjidhet nga Kuvendi si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

Gara

Procesi deri tek emërimi i Guvernatorit të ri të Bankës Shqipërisë pritet të jetë jo i lehtë, pasi para saj një tjetër garë e rëndësishme që do të zhvillohet është ajo për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës. Në prag të përfundimit të mandatit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, paraqiti një pakt prej 10 pikash, ku ndër kërkesat kryesore është edhe konsensusi paraprak që ai kërkon për zgjedhjen e guvernatorit dhe përfaqësimin nga ana e opozitës me tre anëtarë në Këshillin Mbikëqyrës. Edhe pse mandati i 5 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës ka përfunduar, mazhoranca nuk ka bërë asnjë lëvizje për gjetjen e një konsensusi me opozitën për zëvendësimin e tyre e aq më shumë për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, sa kohë që PD-ja tashmë e ka favoritin e saj, që ndryshe nga çdo herë tjetër duket të ketë marrë mbështetje edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ky i fundit në një interviste televizive vlerësoi rolin e guvernatorit Fullani duke lënë të hapur edhe mundësinë për të firmosur emrin e tij për një mandat të dytë. “Loja është e hapur”, -tha Topi- duke mos harruar të shtojë se mandati i Fullanit në krye të Bankës së Shqipërisë mund të konsiderohet i suksesshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›