E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama letër Withers-it: Kabllot, fajësia s’mund të mbetet kolektive

“Çka u botua dhe komentohet mes shqiptarëve, prej konstatimeve e shqetësimeve shumë serioze të shtetit Tuaj, meriton sipas nesh të adresohet politikisht, me një gjest publik të të gjithë të zgjedhurve shqiptarë”

Kabllogramet e dala në dritë gjatë muajve të fundit dhe faktet që ato kanë sjellë lidhur me zhvillimet politike duhet ta bëjnë politikën shqiptare që të reflektojë për të korrigjuar atë që nuk ka shkuar mirë. Ky është qëndrimi i përpunuar i kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, lidhur me të dhënat e zbuluara nga Wikiliks, dhe i bërë i ditur nëpërmjet një letre të hapur që ai i ka dërguar autorit të këtyre kabllogrameve, ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, Xhohn Withers. E përshtatur edhe në formën e komentit të tij të përjavshëm, letra e kryesocialistit, duke iu referuar pikërisht qëndrimit publik të bërë të ditur disa ditë më parë nga Withers lidhur me këto kabllograme dhe përcaktimit të tij se SHBA-të thonë gjithmonë të vërtetë, thekson se këto fakte që kanë dalë në dritë nëpërmjet Wikiliks duhen marrë për të vërteta dhe duhet të bëjnë që kushdo që ndien përgjegjësi të reflektojë.

Letra

“Po njësoj do të mbeteni edhe për mua një njeri i nderuar, shembull për t’u marrë në shërbimin e devotshëm ndaj funksionit publik, i hapur e i drejtpërdrejtë në opinionet dhe kritikat ndaj bashkëbiseduesit, gjithmonë me ngrohtësinë e një miku që asnjëherë nuk la vend për të ngatërruar miqësinë me punën në shërbim të interesave të vendit të vet, për të mirën e vendit tonë”, - shprehet Rama në letrën e vet drejtuar Withersit. Më tej ai prek pikërisht çështjen e kabllogrameve, dalja në dritë e të cilave u bë shkak dhe për një reagim të pazakontë të ish-ambasadorit amerikan. Duke u ndalur pikërisht te kjo çështje, Rama vë në dukje se, pavarësisht se fenomeni Wikiliks është i dënueshëm, të dhënat që ai ka bërë publike duhet të shërbejnë që njerëzit të ndërgjegjësohen për gjëra e faktet e reja, por jo për fenomenet që dihen. “Letra Juaj publike ceku një çështje delikate, shumë të nxehtë e të shumëdiskutuar në mjedisin shqiptar, por çka vlen si fjalëkyçi i saj është nënvizimi prej Jush i faktit të patjetërsueshëm se ShBA thonë të vërtetën. Dalja në dritë e shumë fakteve rrëqethëse prej publikimit të kabllogrameve të Ambasadës Amerikane, shkak për të cilën u bë një pirateri e dënueshme dhe e dënuar me të drejtë botërisht nga shteti Juaj, e ka pështjelluar opinionin publik shqiptar me të vërteta të njohura botërisht e fakte të paditura më parë”, - shkruan Rama.

Kabllogramet

Më tej Rama i shpreh ish-ambasadorit bindjen se përkimi i përvjetorit të 20-të të rivendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve tona me rastësinë të daljes në dritë të gjithë atyre fakteve e provave të raportuara nga kabllogramet, duhet t’i vendosë shqiptarët dhe në veçanti klasën politike shqiptare përpara përgjegjësisë së lartë për të parë e vlerësuar, me shumë seriozitet, mospërputhjen, sipas Ramës, ende tejet të ndjeshme mes vlerave e parimeve demokratike që mishërojnë e promovojnë Shtetet e Bashkuara dhe asaj çka janë sot politika, institucionet, qeverisja e rendi ligjor në Shqipëri. “Unë mbroj bindjen se ne s’mund ta kalojmë këtë moment vetëm duke deklaruar konsensualisht nderimin real dhe përkushtimin e plotë ndaj miqësisë strategjike që lidh të gjithë shqiptarët, pavarësisht përkatësive të këtushme politike, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por edhe duke menduar e punuar që të gjithë shumë seriozisht për të ndryshuar shumëçka nuk shkon dhe s’mund të vazhdojë më kështu si po vazhdon. Duke reflektuar thellë edhe mbi ato që u botuan, lexuan, komentuan e vazhdojnë të komentohen mes njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, si provat e të vërtetës së madhe se Shqipëria s’mundet të shkojë vërtet përpara pa u çliruar prej të këqijave zinxhir që e kanë penguar njëzet vjet me radhë”, - thotë më tej Rama në këtë letër të publikuar në blogun e tij në internet. Gjithashtu, Rama i bën të ditur ish-ambasadorit se kriza që ai la në vendin tonë kur u largua vazhdon të jetë ende prezente dhe se Shqipëria rrezikon të mos marrë sërish statusin e vendit kandidat për në BE. Ndaj, i bën të ditur Rama Withersit është e nevojshme që për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë dhe për të vendosur në vend kulturën e ndëshkueshmërisë, PS ka kërkuar që këto kabllograme të trajtohen edhe politikisht. “Në këtë sens edhe çka u botua dhe komentohet mes shqiptarëve, prej konstatimeve e shqetësimeve shumë serioze të shtetit Tuaj, meriton sipas nesh të adresohet politikisht, me një gjest publik të të gjithë të zgjedhurve shqiptarë, për të lehtësuar veten e popullin tonë nga barra e padurueshme e një fajësie që s’mundet në asnjë mënyrë të mbetet kolektive, ndërkohë që Shqipëria vuan triumfin e kulturës së pandëshkueshmërisë”, - shprehet Rama në letrën e vet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›