E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia Socialiste bojkoton ceremoninë për Ramiz Alinë, familja e zemëruar

SHKRUAN: Vladimir Karaj 09-10-2011 09:37

Partia Socialiste ka vendosur të bojkotojë zyrtarisht, qoftë mortin, qoftë homazhet për ish-Sekretarin e Parë të PPSH-së dhe ish-presidentin Ramiz Alia, duke e lënë pjesëmarrjen në ceremoninë e fundit në duart e vetë pjesëtarëve dhe gjykimeve personale. Në dy ditë që kaluan në shtëpinë e të ndjerit nuk është parë asnjë nga përfaqësuesit apo personazhet e Partisë Socialiste, ndërsa mësohet se nuk ka pasur as shprehje të ngushëllimeve me anë të mesazheve apo telefonatave. Familjarët dhe të afërmit e ish-Presidentit janë shprehur të zemëruar mbi këtë fakt në bisedat me miqtë që kanë shkuar për ngushëllim. Zyrtarisht PS-ja ka pranuar se nuk do të ketë asnjë delegacion zyrtar, ndërsa gazeta e kësaj partie, “Zëri i popullit”, ka qenë e vetmja që nuk e ka pasqyruar dje në faqen e saj të parë lajmin e vdekjes së Alisë. Veç qëndrimit zyrtar, ka qenë mungesa e mesazheve të ngushëllimit apo edhe vizitave nga persona në PS, që Alia i ka përkrahur në fillimet e tyre politike, që ka zemëruar më shumë familjarët që e kanë parë këtë si mosmirënjohje. Ndërsa kjo lexohet edhe si kompleks i frikës së kësaj partie për lidhje me të kaluarën.

Heshtja

E ndërsa PD-ja për mes organit të saj në shtyp, gazetës “Rilindja Demokratike” ka mbajtur qëndrim ndaj Alisë si diktatori i fundit dhe autor i shumë krimeve, PS-ja ka zgjedhur të heshtë, për të shmangur çdo mundësi që të lidhet me figurën e të ndjerit. “Zëri i popullit” nuk e kishte publikuar lajmin në faqen e parë (por e ka pasqyruar atë në një faqe të brendshme), duke qenë në një linjë me heshtjen zyrtare të partisë. Për këtë dje ka pasur reagime të ashpra nga simpatizantë të kësaj partie, por edhe nga familjarë të Alisë. ZP e ka vendosur, ndërkohë, një njoftim të shkurtër mbi vdekjen në faqen online të gazetës. Duke se PS-ja vuan nga komplekset e lidhjeve të mundshme me PPSh-në e para 12 qershorit 1991, ndërsa ka vendosur të heshtë zyrtarisht për vdekjen e Sekretarit të Parë të PPSs-së dhe njeriut që si President dhe si drejtues i Byrosë Politike organizoi kongresin që transformoi Partinë e Punës në Parti Socialiste, duke qenë edhe njeriu kryesor që u dha dorën disa prej figurave kryesore të kësaj force politike sot. Shumë njerëz e pranojnë se, ashtu siç i njihet nga një pjesë merita e lejimit të rrëzimit pa dhunë të diktaturës komuniste dhe pranimit të pluralizmit dhe një tranzicioni të paqtë, Alisë duhet t’i njihet edhe merita e fillimit të reformës në PPSh dhe themelimit të PS-së. Nga ana tjetër, frika se mos akuzohen si nostalgjikë të komunizmit, duket se do të mbajë larg homazheve edhe një sërë personalitetesh të tjera të politikës dhe kryesisht të PS-së, që kanë pasur edhe njohje personale me Alinë.

Qëndrimet

Një nga nënkryetarët e PS-së, i zgjedhur menjëherë në kongresin që transformoi këtë parti nga Parti e Punës në Socialiste, Servet Pëllumbi, tashmë i tërhequr nga politike aktive, tha për “Mapo”-n se gjendja e tij shëndetësore mund të mos e lejonte të merrte pjesë në homazhe, por nëse do të ndihej më mirë ai do të shkonte. Nga ana tjetër pjesëmarrjen e ka konfirmuar një nga figurat e së majtës, Paskal Milo; ndërsa një pjesë tjetër të pyetur në telefon kanë munguar të përgjigjen, qoftë pozitivisht apo negativisht kësaj pyetjeje, përgjithësisht duke iu referuar mungesë së mundësisë për të marrë pjesë. Zyrtarisht PS-ja nuk mohon se persona që e kanë njohur nga afër dhe kanë pasur lidhje me Alinë mund të marrin pjesë privatisht në homazhet për këtë të fundit. Ndërkohë, figura të tjera që kanë qenë njëkohësisht anëtarë të PPSh-së dhe më pas të PSSh-së janë shprehur të dyzuar mbi pjesëmarrjen ose jo në ceremoni.

Ngushëllimet dhe homazhet publike

Veç kreut të LSI-së, Ilir Meta, dhe ish-presidentit Moisiu, publikisht për vdekjen e Alisë është shprehur edhe deputeti Erjon Braçe, i cili e ka vlerësuar atë si antifashist dhe President të parë të tranzicionit, por ka kujtuar edhe se ai ishte figurë kryesore e regjimit të Enver Hoxhës. Vetë kreu i PS-së, Edi Rama, në faqen e tij zyrtare edirama.al, mban “zi” për vdekjen e themeluesit të kompanisë Apple, Steve Jobs, duke vendosur si imazh të parë një mollë në fushë të zezë. Ndërkohë në një faqe në Facebook, që pretendon se përfaqëson qëndrimin e ish-kreut të PS-së, Fatos Nano, ky i fundit shpreh ngushëllimet duke e cilësuar Alinë si njeriun që solli pluralizmin në mënyrë paqësore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›