Lamtumira për Ramiz Alinë, Protokolli i Shtetit organizon homazhet
Detajet e funeralit dhe fjalimi i rastit, të përcaktuara nga familja. Nuk do ketë trupë nderi, por do të hapet një libër ngushëllimesh
Një ceremoni gjysmë zyrtare është përgatitur për të përcjellë për në banesën e fundit ish-Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe njëkohësisht ish-presidentin e parë të pluralizmit, Ramiz Alia. Homazhet dhe funerali do të kryhen ditën e diel, duke filluar nga ora 10.00, ndërsa do të hapet edhe një libër ngushëllimesh. Me detajet e funeralit, që nuk do të ketë truprojë nderi, të shtëna armësh për nder apo shtojca të tjera zyrtare, po merren vetë familjarët e tij, që duket se kanë pranuar ceremoninë gjysmë zyrtare të ofruar nga shteti.
Vendimi
Pavarësisht qëndrimit se Alia ishte diktatori i fundit komunist, të cilin mazhoranca e cilëson fajtor për një sërë krimesh, përfshi edhe Masakrën e Tivarit, qeveria ka vendosur të respektojë pozicionin e mbajtur prej tij më 1991 si President dhe t’i organizojë atij një funeral si ish-drejtues shteti. Kështu, Alisë do t'i rezervohet një trajtim prej ish-presidenti nga Protokolli i Shtetit, që ka rezervuar për të edhe një vend për të mbajtur homazhet. Burime nga zyra e protokollit thonë se ai do të organizojë të dielën, nga ora 10.00-11.00 homazhe pranë ish-Shtëpisë së Ushtrisë. Homazhet, edhe pse do të jenë zyrtare, dhe duhej të prisnin një sërë personalitetesh të larta të vendit, duket se nuk do ta kenë këtë pjesë, ndërsa politika shqiptare dhe institucionet vazhdojnë të mos marrin një qëndrim zyrtar për ndarjen nga jeta të Alisë. Ceremoniali zyrtar që rregullohet me ligj të posaçëm, parashikon se, si ish-president, Alia renditet në rangun e dytë të ceremonive zyrtare, si rast i veçantë. “Ceremoniali zyrtar i Republikës së Shqipërisë parashikon 4 tipe ceremonish funebër: ceremoni shtetërore, më e larta, ceremoni zyrtare; ceremoni ushtarake dhe ceremoni zyrtare ose ushtarake jo të plota”, thuhet në ligj; ndërsa përcaktohet se ceremonitë funebre zyrtare organizohen për personalitete të cilët nuk janë të përfshirë në pikën 9.5, pra personalitete të larta dhe në detyrë të shtetit.
Detajet
Nuk dihen ende detaje rreth funeralit të të ndjerit, por kjo pritet të caktohet ditën e diel, ndërsa vendi i varrit është lënë me amanet nga vetë i ndjeri. Të afërm të familjes thonë se ai ka kërkuar të prehet mes varreve të të ëmës dhe bashkëshortes në varrezat publike të Sharrës. Ndërkohë, detajet e tjera të funeralit, si dhe personin që do të mbajë një fjalim të rastit për respekt të tij, janë përcaktuar nga vetë familjarët dhe nuk do jenë pjesë e protokollit shtetëror. Ajo që mbetet e paqartë është nëse në këtë funeral do të ketë apo jo përfaqësi nga partitë politike kryesore apo zyrtarë të tjerë.
Ditët e fundit
Pak dihet sesi jetonte drejtuesi i fundit komunist i Shqipërisë. Pranë shtëpisë së tij, ku herë pas here kalonte pasditet dhe konsumonte kafenë, të thonë se përgjithësisht shoqërohej nga njerëz të afërt. Alia prej kohësh jetonte vetëm, i shoqëruar nga një grua që kujdesej për të, ndërsa fëmijët e tij jetojnë jashtë Shqipërisë. Fqinjët thonë se deri para se të shtrohej në spital, ish-Sekretari i Parë i Partisë së Punës kishte ndjekur ritualin e kafesë në lokalin poshtë apartamentit të tij. Ai vdiq mëngjesin e të premtes, në Sanatorium, ku ishte shtruar pas problemeve në mushkëri.