Hyseni: Na tradhëtuan një sërë shtetesh
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni thotë se Kosova u tradhtua nga një sërë vendesh të cilat nguruan ta njohin si shtet edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në një intervistë për Top Channel Hyseni shprehet se vendet mike të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të bënin më shumë në sjelljen e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës, sidomos pas GJND-së.
“Unë e kam shpjegimin pse shumë njohje nuk kanë ardhur. Kosova ka bërë atë që është e mundur të bëjë, ndërkohë që njohjet në një fazë të caktuar të zhvillimeve nuk varen nga Kosova. Varen kryekëput nga shtetet përkrahëse të Kosovës dhe nëse ato shtete përkrahëse gjithë presionin e duhur në vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën. Përshtypja ime është që pas rezolutës së OKB-së shtetet përkrahëse të Kosovës nuk kanë bërë presionin e duhur, të gjitha pa përjashtim tek vende të ndryshme që ta njohin Kosovën,” tha zoti Hyseni.
Ndërsa zv/ministrja e Jashtme Vlora Citaku, në një analizë të politikës së jashtme thekson se qeveria nuk mundi të realizojë atë që pati premtuar, njohjen e Kosovës nga 100 vende brenda viti 2010.
“Nuk do të ishte korrekte të themi që Kosova s’ka patur njohje për shkak të largimit të ministrit, sepse Kosova ka patur dhe vazhdon të ketë institucionet funksionale. Nuk kemi pritur që pas GJND-së ritmi i njohjeve të jetë po aq i ngadaltë sa para GJND-së”, deklaron zv/ministrja, Vlora Citaku. /tch/