Guximtarja jonë
Presidentja Atifete Jahjaga është radhitur në mesin e 150 grave të botës, të cilat, sipas kompanisë mediale amerikane, “The Newsweek Daily Beast Company”, nuk e njohin frikën.
Përkrah Jahjagës, në listë ndodhen edhe gra të famshme të globit nga bota e politikës, showbizit dhe sferave të tjera.
Në listën e këtij mediumi, përveç të tjerash janë përfshirë edhe Hillary Clinton, Angela Merkel, Angelina Jolie e të tjera.
“Ato fillojnë revolucione, hapin shkolla dhe inkurajojnë një gjeneratë të re të guximshme. Nga Detroiti në Kabul, këto gra po bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet”, shkruan Daily Beast për këto gra.
E për Jahjagën edhe gra të tjera jepet edhe një biografi e shkurtër.
“Ajo është Presidentja më e re dhe e para femër e Kosovës si dhe liderja e parë grua në shtetet ballkanike. Si ish –zëvendësdrejtoreshë e Policisë së Kosovës, Jahjaga kishte filluar si përkthyese pas luftës në fund të nëntëdhjetave dhe kishte shërbyer në kapacitete të ndryshme me guxim. Ajo është zgjedhur unanimisht me shumicën e votave parlamentare”, thuhet në biografinë e Presidentes.
Jahjaga në fillim të muajit mars kishte qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku kishte marrë pjesë në samitin “Gratë në botë”, të organizuar nga “Daily Beast” dhe “Newsweek”.
Përveç Jahjagës, në konferencën “Gratë në botë”, ishin të pranishme mbi dy mijë pjesëmarrëse, gra udhëheqëse dhe figura nga fusha të ndryshme.
Jahjaga gjatë qëndrimit në SHBA kishte mbajtur një ligjëratë në Kolegjin Dartmouth të Hanoverit me temën “Sukseset dhe sfidat e procesit të shtetndërtimit në Kosovë”, si dhe një fjalë rasti gjatë vizitës në katedralen Shën Gjergji në Boston.
Gjatë kësaj vizite, Jahjaga kishte zhvilluar takime me Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Hillary Clinton ish-Sekretaren Madeleine Allbright, ambasadorin Frank Wisner dhe personalitete të tjera.