E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse janë problematikë?

Presidenca e Kosovës nuk i ka dërguar emrat e Ahmet Shalës dhe Amir Ahmetit në Bruksel dhe Riad për të kërkuar pëlqimin rreth kandidaturës së tyre për ambasadorë, për arsye se ndaj kandidatit për ambasador në shtetin belg janë duke u kryer hetime, ndërsa rreth Amir Ahmetit ka dyshime se ka pasur disa “udhëtime të dyshimta”. Kontakti me Shalën ka qenë i pamundur, e deputeti Amir Ahmeti nuk ka pranuar të flasë.

Presidenca e Kosovës nuk i ka dërguar emrat e Amir Ahmetit dhe Ahmet Shalës në Arabinë Saudite dhe në Belgjikë, për të marrë pëlqimin nga këto shtete rreth kandidaturës së tyre për ambasadorë.

Arsye për këtë, sipas burimeve të Expressit, janë se ndaj Ahmet Shalës janë duke u kryer hetime, ndërsa ndaj Amir Ahmetit ka rezerva se ai ka pasur disa “udhëtime të dyshimta” jashtë vendit si zyrtar i Partisë së Drejtësisë.

Express ka provuar të kontaktojë me Ahmet Shalën, por kjo ka qenë e pamundur, ndërsa Amir Ahmeti ka thënë nuk dëshiron të flasë asgjë rreth kësaj çështjeje.

“Nuk dua të prononcohem, sepse procesi është në diskrecion ende, s’kam një përgjigje”, ka thënë Amir Ahmeti në një prononcim për Express të mërkurën.

Burime të gazetës kishin bërë të ditur kohë më parë se emrat e ish-Ministrit të Ekonomisë dhe të Financave, Ahmet Shalës dhe deputetit Amir Ahmeti nuk janë dërguar në Bruksel dhe Riad për të kërkuar agremanin.

“Emrat e tyre nuk janë dërguar fare te shtetet përkatëse, për dallim prej propozimeve të tjera. Sipas të gjitha gjasave, ajo (Presidentja) i ka refuzuar ato dy propozime të Ministrisë së Jashtme”, kishte thënë një zyrtar për Express në kushtet anonimiteti.

E drejta e mosdekretimit, apo refuzimit të kandidatëve të propozuar nga MPJ’ja, i sigurohet Presidentes edhe me Ligjin mbi shërbimin e jashtëm të Kosovës. Ndërkaq, nga tetë propozimet e dërguara në janar të këtij viti për aprovim në Presidencë, Jahjaga ka dekretuar vetëm Sylejman Selimin si ambasador në Shqipëri, pasi që kishte marrë agremanin nga shteti shqiptar.

E, i pari që ka nisur punën është Sylejman Selimi, tashmë ambasador i Kosovës në Tiranë, i cili i ka dorëzuar letrat kredenciale te Presidenti Bamir Topi.

“Ne gëzohemi dhe jemi krenarë për faktin që çdo ditë e më shumë institucionet e Kosovës shënojnë përparime. Këto pikëpamje dhe ndjenja i ndaj edhe me të gjithë bashkëbiseduesit dhe partnerët e huaj me të cilët takohem”, ka thënë Topi pas një takimi me Selimin në Tiranë.

Ai ka shtuar se uron që Kosova t’i japë fund statusit të pavarësisë së mbikëqyrur e të integrohet në BE.

“Uroj që Kosova t’i japë fund statusit të pavarësisë së mbikëqyrur dhe t’i plotësojë të gjitha standardet për një integrim të plotë të të gjitha vendeve të rajonit tonë në gjirin e Bashkimit Europian”.

E, Ambasadori Selimi ka thënë se përveç Brukselit dhe Washingtonit, Tirana është mbështetja tjetër për Kosovën. “Synimi ynë është që të konsolidojmë marrëdhëniet në të gjitha fushat dhe që Kosova të bëhet pjesë e takimeve dhe nismave rajonale. Objektivi parësor i politikës së jashtme të Kosovës është integrimi në Bashkimin Europian dhe në NATO dhe për këtë vlerësojmë mbështetjen dhe përvojën e vlefshme që na ofron Shqipëria”, ka thënë Selimi.

Emrat e tjerë të propozuar për ambasadorë janë Akan Ismaili, ish-Kryeshef Ekzekutiv i IPKO’s, i cili pritet të dërgohet në Washington, Ylber Hysa në Shkup, Skënder Xhakaliu në Berlin, Shpend Kallaba në Bullgari si dhe kandidatët e tjerë, Esat Brjashori, Mimoza Ahmetaj dhe Vjosa Dobruna.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›