E Diel, 1 Nëntor 2026

VV: Gjykata Kushtetuese ia huqi

Drejtues të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vendvendosje e kanë kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila e ka hedhur poshtë ankesën e këtij grupi rreth shqyrtimit të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës rreth marrëveshjeve të arritura me Serbinë.

Ata kanë deklaruar se Gjykata Kushtetuese e ka pasur një lëndë e cila është brenda juridiksionit të saj dhe sipas kushtetutës dhe ligjeve në fuqi është dashtë ta trajtojë dhe të jap përgjigje dhe jo të thotë se nuk ka kompetenca ta trajtojë parashtresën rreth shqyrtimit të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës të datës 20 janar 2012, me të cilin vendim mirëpriteshin marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë.

Shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese po tregon qartë që vendimin nuk e ka sjellë duke u bazuar në kushtetutë, në ligjet dhe në ndonjë racionalitet juridik, por sjellë atë si rezultat i ndonjë ndikimi politik nga jashtë që ka ndikuar në Gjykatën Kushtetuese.

“Ja është dështim profesional, ja është dështim moral, njëra është. Nuk mund ta dijë, se nuk kam fakte për asnjërën, mirëpo unë po them se kur e huq çështjen që t’i kërkon ose është i padijshëm ose është i ndikuar, se tjetër këtu nuk mund të ketë”, ka thënë Ymeri.

Ai shtoi se ky vendim është i pabazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

“Gjykata kushtetuese ishte dashur ta trajtojë këtë çështje dhe pastaj të pozicionohet karshi saj, pra unë nuk po them që Gjykata Kushtetuese doemos ishte dashtë që të vendosë në favor tonin. Unë po them që Gjykata Kushtetuese e ka pasur një lëndë e cila është për brenda juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese dhe ky institucion ishte deshtë ta trajtojë. Pra ne shumë qartë e kemi kërkesën a janë marrëveshje ndërkombëtare edhe si marrëveshje ndërkombëtare duhet ratifikuar. Kjo ka qenë çështja... e tash Gjykata Kushtetuese as nuk ka treguar a janë marrëveshje ndërkombëtare dhe as nuk ka thënë që mund Kuvendi edhe mos t’i ratifikojë, por ka thënë se kjo është e papranueshme”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese, në ditët e para, ka mundur të thotë se është shqyrtuar kërkesa e Vetëvendosjes dhe të kthejë përgjigje se nuk është lëndë me të cilën merret Gjykata Kushtetuese dhe të kthehet prapa por gjykata ka pranuar pastaj e ka shpallur të papranueshme dhe kjo, sipas Ymerit, shihet qartë se nuk është vendim ose procedim i një çështje.

“Nëse kategoritë kushtetuese të ratifikimit të marrëveshjeve, po edhe të tjera, nuk janë në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, atëherë unë nuk e di çka bën Gjykata Kushtetuese. Nëse ajo nuk e trajton një vendim të Kuvendit dhe kushtetutshmërinë e tij, përputhjen e këtij vendimi me parimin e Kushtetutës së Kosovës, atëherë çka trajton Gjykata Kushtetuese. Dhe Gjykata Kushtetuese në këtë moment dështoi ta japë një qëndrim për këtë çështje”, ka thënë Ymeri.

Ai shtoi se në pikat 15,33,35 e 36 janë pikat e vendimit ku tregohet paaftësia e Gjykatës, me qëllim apo pa qëllim. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›