E Shtunë, 31 Tetor 2026

HAKMARRJA E EKONOMISTIT

Kur nata ndante vitet, mes telefonatave me urime për Vitin e Ri, nga Amerika më mori miku im i vjetër Andon Dede. Me shkrimet me nuanca filozofike dhe politike në vitet ‘90-të, kishte bërë emër edhe në gazetari. Familjarisht tani jeton në SHBA.

Ai: Alo... Amerika sot të kujton Shqipërinë e piramidave në vitet ‘96-‘97. Me fillimin e vjeshtës ‘08, sistemi bankar u trondit. Falimentuan dy banka. Ishte duke dhënë shpirt AGI, kompania më e madhe në botë e sigurimeve. Bursat, krenaria e ekonomisë amerikane, po kalojnë ditët më të vështira, pas krizës së vitit 1929. Industria e makinave po jep "shpirt". Si ekonomist, ke ndonjë ide si erdhi kjo murtajë ekonomike?

Unë: Pak ekonomistë ka Amerika që kërkon "dermanë" tek unë?!

Ai: Ekonomistëve amerikanë u ka dalë boja... Në behar u bënin hosona financave amerikane. Tani u bëjnë bisht intervistave...

Duke "bluar" bisedën në telefon, nisa të shfletoj disa shënime të mbajtura dy vite më parë.

Shtator 2006.

Nuk kisha besuar se një ditë do të jepja një dëshmi për "gjyqin" e Jon Kejnes (John Keynes). Por rasti është mbret, ka thënë latini. Dhe rasti erdhi, kur këtë ditë u bënë disa debate dhe emisione televizive për liberal-demokracinë. U thanë e u shkruan shumë ide. Me bereqet dhe pa bereqet. Me interes ndërkombëtar dhe kombëtar: për rolin e së majtës dhe së djathtës në politikë dhe në ekonomi. Për çudi, një pjesë e debatit u kthye në një "gjyq" për ekonomistin anglez. Jo vetëm gjyq, por u dha edhe "vendimi": librat e Jonit nuk i vlejnë me ekonomisë! Ato janë kthyer në stoli për bibliotekat! Nuk është problemi se u "dënua" një ekonomist, qoftë ky edhe nobelist, qoftë më i madhi mes më të mëdhenjve të shekullit të kaluar. "Lepuri" fshihet gjetkë.

Në shkencën e makroekonomisë ekzistojnë dy tradita, dy shkolla kryesore intelektuale. Njëra shkollë beson se ekonomia e tregut funksionon më mirë, në qoftë se qeveria nuk ndërhyn në "punën" e saj. "Babai" i kësaj shkolle është Adam Smith. Në vitin 1776 ai shkroi veprën e tij klasike "Pasuria e Kombit". Në këtë libër, Smith argumenton: "Vendimet e miliona individëve për interesat e tyre vetjake, do të përbënin atë ‘dorë të fshehtë‘, që do të kthehej në një motor lëvizës për ekonominë e tregut... Nuk e presim drekën tonë nga mirësia e kasapit, pijetarit dhe bukëpjekësit, por nga interesat e tyre për veten". Kjo doktrinë "sundoi" ekonominë e tregut për 150 vjet. Shkolla tjetër beson që ndërhyrjet e qeverisë janë të domosdoshme dhe mund të përmirësojnë zhvillimin e ekonomisë së tregut. Kur e ka zanafillën kjo shkollë?

Në vitin 1929 shpërtheu depresioni ekonomik më i madh i shekullit. "Miss Kriza" u shtri në të gjithë botën. Kollosë të industrisë amerikane, gjermane a franceze u shembën sikur të ishin "tigra prej letre". Bankat dhe bursat në Londër, Berlin, Tokio, Nju Jork, Paris, brenda disa javëve u mbeti vetëm shkëlqimi i godinave, duke humbur "perandoritë" në ekonominë e tregut. Papunësia dhe mjerimi u bënë "sëmundjet" e shekullit.

(Hapim një parantezë: Depresioni i viteve ‘30 dhe kriza e fundit ngjajnë si dy "pika uji". Nga këto dy kriza botërore, duhet të nxjerrin mësim edhe biznesmenët tanë. Çdo biznes ka ciklin e tij. Pas ngritjes, vjen zbritja. Për të mos falimentuar, duhet kapërcyer pika kritike që të dërgon në greminë ose të vë në një rrugë të re drejt ngritjes. Shumë biznese shqiptare ecin me sy mbyllur. Ka pak përpjekje për informatizimin e aktiviteteve. Janë të rralla firmat që sigurojnë ndërtesat, makineritë. Ka biznesmenë që suksesi u vjen nga shmangja në pagimin e taksave ose duke u marrë me kontrabandë. Pa folur që ende shumë biznese private nuk bëjnë sigurimin e punëtorëve! Në një shtet ligjor, po nuk u zbatuan rregullat e lojës, çdo biznesmen e ka të shkruar në ballë falimentin!).

Pikërisht në vitet ‘30 u duk sikur "dha shpirt" epoka e Adam Smithit. Në skenë u ngjit teoria e ekonomistit anglez, Jon Kejnes. Një nga postulatet e tij ishte shtimi i shpenzimeve të qeverisë në ekonomi, duke shtuar deficitin buxhetor. Vendin e "dorës së fshehtë" e zuri "dora e hapur", domethënë ndërhyrjet shtetërore në ekonomi. Mbi bazën e këtyre ideve, në korrik të vitit 1944, përfaqësues nga 44 vende të botës nisën debatin për krijimin e FMN-së.

Në vitet ‘60, globalizmi në ekonominë botërore dhe sidomos krizat "vrasëse" në sferën financiare, treguan se edhe kjo teori ishte në agoni. Një plejadë ekonomistësh (më i shquari u bë Milton Fridman) e detyruan FMN-në të hyjë në monopate të tjera të teorisë ekonomike: "Politikat Monetariste". Praktikisht, sipas kësaj teorie, kemi një ekonomi tregu që duhet të zhvillohet "kokëposhtë". Në qoftë se ekonomia klasike nis më zhvillimin e prodhimit për të pasur një stabilitet monetar, FMN, në bashkëpunim me qeveritë e vendeve të ndryshme i fillon reformat me stabilitetin makroekonomik: ulje inflacioni, zbritje e deficitit buxhetor, forcimi i monedhës, shtimi i të ardhurave nga taksat, falimentimi i ndërmarrjeve me humbje etj. Eksperimentet në ish-vendet socialiste nisën në vitet ‘90 në Poloni, Hungari dhe Çeki. Për të vazhduar më vonë në Rusi, Rumani, Shqipëri. Mesazhi i reformave: më shumë sakrifica sesa mirëqenie. Shpata e Demokleut kundër inflacionit, me liberalizim çmimesh, bllokim pagash e pensionesh, dhënie kredish me "pikatore" solli tensione sociale, duke "mbjellë" papunësi. Në shumë vende ekspertët e FMN-së, nga "idhuj" u kthyen në "diktatorë" të ekonomisë. Por kjo "diktaturë ekonomike" u pranua me "dhunë", sepse nuk kishte tjetër "model", sepse pa firmosur marrëveshjet me FMN-në, asnjë institucion financiar i botës nuk hap "dritën jeshile" për të marrë kredi. Pa kredi nuk ka reforma! Dhe ekspertët e FMN-së u bënë guvernatorë të jetës ekonomike dhe politike! Ekspertët vendas mbanin vetëm "iso"!

Mes-nëntori 2008.

Debat në Kongres dhe në Senat. Sebepi? Presidenti Bush, në ikje e sipër nga Shtëpia e Bardhë, kishte propozuar një paketë ndihme për të shpëtuar disa banka dhe shoqëri sigurimi nga falimentimi. Paratë e taksapaguesve do të "derdheshin" në tregun privat. Nëse kjo paketë ndihme do të ishte propozuar nga Bushi, jo në vjeshtën 2008, por në beharin 2008, nuk do të kishte mbetur gazetar, regjisor, ekonomist a filozof, pa e etiketuar atë me nofkën "Bushi i marrë". Vendimi amerikan për të ndërhyrë qeveria në ekonominë e tregut tronditi nga themelet teoritë moderne. Por ky ishte vetëm fillimi. Në Angli u shkua më tej. Gordon Braun vendosi të shtetëzojë dy-tri banka private, për t‘i shpëtuar ato nga falimentimi. Në garë për të hapur "thesin" e buxhetit (lexo: taksat) për të shpëtuar sistemin bankar privat dhe ekonominë u vunë Franca, Belgjika, Italia. Greqia vuri në dispozicion të tregut bankat 28 miliardë euro. Status-kuonë mundohet ta ruajë Gjermania. Kancelaria e djathtë Merkel, me qeverinë mikse - ministra të majtë e të djathtë - duke qenë në vigjilje të zgjedhjeve (vjeshtë 2009) ka ngurruar të imitojë vendet perëndimore, që në emër të krizës, kanë shkelur doktrinat ekonomike.

Më 20 janar u bë betimi i Presidentit Obama. "Oreksi" i Presidentit të ri, për të ndërhyrë në ekonominë liberale amerikane, u shtua. Drejt Kongresit dhe Senatit u nisën mijëra faqe, brenda të cilave fatura (bill) ishte rreth 800 miliardë dollarë. Pas shumë debatesh, me vota të demokratëve në Kongres dhe me disa vota republikanësh në Senat (jo vetëm në Shqipëri tradhtohen idealet e partive - rasti i këshilltarëve të djathtë që votuan buxhetin e Ramës), pasi u bë një "qethje" e lehtë, plani u miratua. Dilema e Obamës u zgjidh. Gjatë fushatës elektorale, analistët shtruan pyetjen: Obama, do të qëndrojë në qendër apo do të shkasë drejt të majtës (lexo: socializmit modern). Ai tashmë e bëri zgjidhjen e tij. Këto ditë, miratoi edhe një plan prej 50 miliardë dollarësh. Nuk u bë shumë zhurmë, sepse fatura të tilla nuk kanë nevojë për "vulën" e Kongresit...

Në epokën e tyre, Toni Bler dhe Bill Klinton, proklamuan "rrugën e tretë". Por kjo rrugë degjeneroi në gjepura. Ende nuk ishte pjekur koha për hakmarrjen e ekonomistit Jon Kejnes. Duhej një ‘Depresion‘ i përmasave botërore, si ai i vitit 1929, që Obama të kthente "pllakën" nga dishepujt e tij: Bill Klinton dhe Toni Bler.

... Pasi folëm pak si gjatë për ekonominë amerikane, ia vlen të qëndrojmë në ekonominë shqiptare me një cikël shkrimesh: "Përulja" e lekut ndaj dollarit dhe euros; Dilema e qytetarëve për kursimet; Zbehja e eksporteve; "Fintet" e bankave në dhënien e kredive; Rritja e GDP-së në ekonominë formale; "Qesja" e emigrantëve; Punësimi dhe investimet e huaja... Të gjitha në sfondin e zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›