E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veltroni, "djali i mrekullueshëm"

Humbja e zgjedhjeve për guvernatorin e Sardenjës prej koalicionit të majtë solli edhe dorëheqjen e Valter Veltronit. "Djali i mrekullueshëm" i së majtës mbylli kështu për momentin, në moshën 53-vjeçare, karrierën politike. Në traditën e të atit, i cili vdiq kur i biri ishte vetëm një vjeç, ndoqi studimet për kinematografi dhe kjo i krijoi njohje me personazhe kontroversë të jetës sociale italiane, ku spikat Pier Paolo Pasolini. Mori pjesë aktive në jetën politike si anëtar i Partisë Komuniste dhe organizator i rinisë së saj. Por kjo nuk e pengoi të thotë, më vonë në intervistat e tij, se ishte anëtar i Partisë Komuniste pa qenë komunist në vetvete.

Partia Komuniste Italiane lindi nga shizma me socialistët, të cilët në radhët e tyre kishin pasur edhe Musolinin. Me një të kaluar luftarake, ku anëtarë të saj kishin marrë pjesë aktive në luftën e Spanjës, e në Peruxhia i kishin rezistuar me armë instalimit të fashizmit, militantët e saj kishin provuar për dekada internimet, burgjet e vrasjet. Çlirimi i vendit solli edhe hakmarrjet e të majtëve për vite persekutimi. Kundërshtarët, në anarkinë e pasluftës, pushkatoheshin rrugëve të qyteteve. Të ndjerë të tradhtuar nga ndarja e botës midis fuqive të mëdha, ku Italia ra në kampin perëndimor, komunistët italianë me vështirësi e përtypën qëndrimin në opozitë për dekada të tëra. Në vitin ‘48, pushtuan Prefekturën e Milanos dhe kërkuan nga Toliati fillimin e revolucionit, ndërsa piketimi i fabrikave, demonstratat dhe përleshjet me policinë janë skena që mbahen mend edhe sot.

Segmente të devijuara të kësaj të majte, "Brigadat e Kuqe", kujtohen për rrëmbimin e Kryeministrit Aldo Moro, vënie bombash, vrasje dhe beteja të përgjakshme rrugëve të qyteteve me ekstremistë të krahut të djathtë. Ende sot e kësaj dite, elementë të qendrave sociale, fidanishtet nga ku furnizohen dhe edukohen militantët e majtë, janë problematike për forcat e rendit në Itali. Por në radhët e kësaj partie kishte edhe vizionarë si Berlingueri, i cili me kërkesën për kompromis historik dhe idetë se, tashmë lufta e klasave ishte transformuar në luftë brezash, rivitalizonin dhe e bënin më kompetitive partinë. Pjesëtar i kësaj force dhe trashëgimtar i vizioneve berlingueriane, por i zhvendosur nga e djathta e spektrit të saj, Veltroni afrohej shumë me ata që ishin të zhvendosur majtas në formacionin e ish-Demokracisë Kristiane e që quheshin kato-komunistë. Prodi, Parisi, De Mita etj., vinin pikërisht nga ky spektër dhe do ishin aleatët e ardhshëm të "djalit të mrekullueshëm".

Në vitin ‘96 do ishte zv.kryeministër në krah të Prodit, i cili udhëhoqi koalicionin "Ulliri", por u tërhoq me rënien e qeverisë dhe marrjen e postit nga D‘Alema, i cili kishte mundur Veltronin në garën për drejtimin e partisë, 4 vjet më parë. Por e ardhmja ishte me Veltronin. Njerëzit donin fytyrën e tij paqësore. E konfirmon këtë dashuri viti 2001, kur u zgjodh kryetar bashkie. E rikonfirmon në vitin 2006, ku pavarësisht akuzave për paaftësi në drejtim, zhytje të qytetit në borxhe dhe abuzime me lejet e ndërtimit, thellon fitoren akoma më tepër se në vitin 2001. Katër vjet më pas, i dha ndihmë fitores së koalicionit të ridrejtuar edhe njëherë nga Prodi. Do të mbahet mend votimi i tij i veshur me pizhamet e spitalit, ku ishte shtruar dy ditë para zgjedhjeve, dhe apeli për të votuar koalicionin e majtë. E djathta shkumëzoi nga përdorimi që Veltroni u bënte ndjenjave të votuesve, por kutitë ishin mbyllur, dhe koalicioni i tij kishte fituar.

Në vitin 2007, e majta humbi pushtetin e fituar vetëm një vit e gjysmë më parë, për shkak të fragmentarizimit të saj dhe pranisë të elementëve të papajtueshëm në koalicion. Në një situatë çorientimi, spektri i majtë, në momentin e zgjedhjeve, tentoi unifikimin dhe grumbullimin nën një parti (Partia Demokratike) të të gjithë elementëve progresistë të ish-"Margeritës", Demokracisë së Majtë (ish PK) dhe "Ullirit". Dhe fytyrë më shpresëdhënëse se Veltroni për t‘i dhënë timonin nuk kishin. Si hap të parë, ai la Bashkinë e Romës dhe iu kushtua projektit politik. Vendosi që partia e re të garonte e vetme në zgjedhje. Nuk pranoi koalicion parazgjedhor me ish-aleatët e qeverisjes. Kjo rezultoi fatale, pasi humbja ishte më e madhe se votat e marra. Me synim unifikimin e partisë pranoi ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke adaptuar sistemin ku kryetari vendos për deputetët, por duke humbur mbështetjen kapilare në terren, që ishte edhe pika e forcës e së majtës. Me shpresën se do të përdorte teknikat televizive të sprovuara më parë, gaboi pasi përballë kishte një mjeshtër të këtyre teknikave. Që nga ajo ditë, e deri kur dha dorëheqjen, Veltroni tentoi të bënte një parti të stilit amerikan. Qenia e tij mik me Obamën prej vitit 2005, e bëjnë një përçues tipik të së majtës amerikane në truallin evropian. Nuk mungojnë në fjalët e tij referimet ndaj "rrugës së tretë" drejt socializmit të iniciuar nga Klinton e Bler. Por megjithatë, Veltroni dështoi. Dhe ky dështim u vulos pikërisht në Sardenjë, toka ku lindi edhe frymëzuesi i tij, Enriko Berlingueri.

Do të ketë shumë analiza për këtë dorëheqje të tij. Një arsye e humbjes është se liderët e vërtetë si D‘Alema, Fasino, Rutteli etj., nuk mund të pranonin një sukses të mundshëm, që mund të ‘fshinte‘ emrat e tyre. Ishte shumë modern dhe jo i lidhur organikisht, por i përshtatur me stilin amerikan. Partia Demokratike ende nuk është organike dhe brenda pjesëve të bashkuara ka ngërçe, që Veltroni me sa duket nuk diti t‘i harmonizojë. Kandidimi nën flamurin e së majtës i biznesmenëve të suksesshëm (kandidati i së majtës në Sardenjë, ishte edhe themeluesi i rrjetit internet "Tiscali"), por jo me instinktet politike, është shkak tjetër i fiaskos. Ndërsa në kampin përballë komandon një kundërshtar i padiskutuar në lidershipin e koalicionit që drejton; ka një perandori mediatike dhe mjeshtër i gueriljes së informacionit. Nga ana tjetër, mentaliteti italian është ende refraktar ndaj idesë të sakrificave për reformat e nevojshme të rigjallërimit të vendit, ndaj dështimi i Veltronit dukej i parashkruar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›