E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Të ardhurat konsullore, mbi 2 milionë euro



Ministria hedh poshtë akuzat e PS-së

Sqaron dhe procedurat e reja të aplikimeve

Ministria e Punëve të Jashtme informon se të ardhurat konsullore për vitin 2005 janë mbi 2 milionë euro, duke denoncuar kështu opozitën si deformuese të shifrave reale. Ministria e drejtuar nga Lulzim Basha përgënjeshtroi dje akuzat e Partisë Socialiste mbi të ardhurat tona konsullore dhe pretendimin e saj se të ardhurat konsullore për vitin 2005 janë 4 milionë e 50 mijë euro. Sipas ministrisë, ky është një shembull për të kuptuar deformimin flagrant të shifrave. Përmes një deklarate për shtyp, kjo ministri bën të dikur se ndryshimi i të ardhurave nga konsullata jonë në Athinë mes viteve 2007-2006, vjen si rezultat i kalimit më 15 qershor 2007 të procedurave nga shërbimi konsullor shqiptar në Greqi, në shërbimin konsullor grek në Shqipëri, një fakt ky i njohur botërisht nga opinioni publik. Sipas Ministrisë së Jashtme, “në kuadër të rritjes së transparencës dhe shmangies së abuzivizmit, me urdhrin e ministrit të Punëve të Jashtme të datës 9 janar të këtij viti, të gjitha shërbimet konsullore do të kryhen vetëm përmes postës, me përjashtim të rasteve kur aktet normative në fuqi kërkojnë paraqitjen e vetë personit pranë autoriteteve të shërbimit të jashtëm”. Gjithashtu, menjëherë pas denoncimeve të disa rasteve në media, Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se “ka nisur grupet e kontrollit dhe të auditimit në përfaqësitë tona jashtë. Personat që rezultojnë përgjegjës për shkelje apo abuzime, janë vënë dhe do të vihen para përgjegjësisë administrative dhe ligjore”. Ministria e Punëve të Jashtme garanton se “mbetet thellësisht e përkushtuar për të përmirësuar shërbimin tonë konsullor ndaj shtetasve tanë që jetojnë jashtë vendit, dhe për të mos toleruar praktikat jotransparente dhe abuzive”. Me këtë rast, ministria e drejtuar nga Lulzim Basha thekson në deklaratën e saj se “kjo ministri bën ndryshimin e madh me periudhën paraardhëse, kur ndonjë person, sot i veshur me petkun e deputetit, abuzonte me pushtetin, duke bërë edhe sekserin e qenieve njerëzore, në kurriz të shërbimit konsullor e diplomatik shqiptar”.

Uillson: Britania, mbështetje për reformat

Britania do të ndihmojë shtetin shqiptar për forcimin dhe thellimin e demokracisë. Konkretisht mbështetja do të jepet për sistemin e drejtësisë dhe institucionet e pavarura kushtetuese, si edhe për rrugëtimin e suksesshëm integrues të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe më pas, në Bashkimin Evropian. Siguria iu dha dje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, gjatë takimit që zhvilloi dje me ambasadorin anglez, Frejzër Uillson. Në një njoftim për shtyp nga Presidenca bëhet e ditur se kreu i shtetit i shprehu mirënjohjen për ndihmesën e pandërprerë dhe mbështetjen e fuqishme të Mbretërisë së Bashkuar, dhënë vendit tonë në forcimin e shtetit ligjor, të demokracisë, institucioneve të pavarura kushtetuese e demokratike, ndarjes dhe ekuilibrimit të pushteteve dhe përmbushjen e aspiratave integruese të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike dhe në familjen e madhe evropiane. Nga ana e tij, ambasadori anglez, Uillson, pasi vlerësoi rolin moderator dhe pozitiv të Presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe të pavarësisë së institucioneve demokratike e kushtetuese, e siguroi kreun e shtetit shqiptar mbi mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar për vendin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›