E Diel, 1 Nëntor 2026

HEC-et mbi Drin, gjendje alarmante

21/04/2010 Situata e rënduar e reshjeve ka bërë që të shtohen kapacitet e portave të shkarkimit

Bie intensiteti i shirave, Fierza rritet me 1 cm në orë. Dje, niveli arriti në 296. 57 metër

Pavarësisht hapjes së portave të shkarkimit në hidrocentralin e Fierzës, gjatë ditës së djeshme niveli i këtij liqeni që është edhe më i madhi në kaskadën e lumit Drin është rritur me 1 centimetër në orë. Sipas të dhënave më të fundit nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare mësohet se dje niveli i ujit ishte 296. 57 m, nga 296 metër që është kufiri maksimal, ndërkohë që dy ditë më parë niveli i ujit ishte 296.48 cm. Mësohet se prurjet janë rritur dhe shënojnë nivelin e 1360 m3/ujë për sekondë, ndërsa shkarkimet janë 710 metër kub për sekondë. Ndërkohë që vëmendja më e madhe është përqendruar në mbajtjen nën kontroll të hidrocentralit të Komanit ku niveli i ujit ishte 174.34 metër, ndërsa kuota maksimale duhet të jetë 172,9 m. Në këto kushte janë rritur shkarkimet deri në 1200 metër kub për sekondë, ndërsa prurjet janë 600 metër kub për sekondë. Ky është edhe liqeni më i rrezikuar, pasi kapaciteti i ujëmbledhës i tij është shumë i vogël në raport me Fierzën dhe pasojat që mund të vijnë nga prurjet e shumta janë shumë të rrezikshme. Për sa i përket hidrocentralit të Vaut të Dejës, niveli i ujit ka arritur 75, 67 cm, vetëm 23 cm larg niveli maksimal 76 metra. Në këtë liqen shkarkimet shënohen në shifrat 2 mijë metër kub për sekondë, ndërsa prurjet janë 270 metër kub për sekondë. Duke sqaruar këtë situatë, kreu i KESH-it, Muharrem Stojku, deklaroi se "sot (dje) po shkarkojmë 710 m3/s ujë nga liqeni i Fierzës, ku prurjet në këto dy orët e fundit janë 1360 m3/s, në Koman kemi vendosur të shkarkojmë 1200 m3, të cilat i kemi bërë fakt të kryer nga tuneli, dhe jemi në rënie të kuotës rreth 4-5 cm në orë. Ndërkohë që shkarkimet nga liqeni i Vaut të Dejës, shkojnë 2 mijë m3/s, e cila është dhe pika fundore. Kjo situatë do vazhdojë në këto kuota dhe nivele, pasi shikohet që kuotat në liqenin e Komanit dhe Vaut të Dejës janë drejt rënies", vijoi Stojku. Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës informoi dje se rreziku nga përmbytjet është evident në zonat e veriut të vendit, në situatën kur në hidrocentralet në kaskadën e Drinit paraqiten të tejmbushura me ujë. Gjithashtu, po dje u deklaruar se shkarkimi i liqeneve të hidrocentraleve në veri të vendit do të vazhdojë, pasi një veprim i tillë kushtëzohet nga prurjet e mëdha të ujit brenda tyre, për shkak të reshjeve të mëdha që po bien në veri të vendit. Ky fakt u bë i ditur nga Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Muharrem Stojku, gjatë mbledhjes së djeshme për situatën hidrike, të zhvilluar nga Sekretariati Teknik i Digave. “Shkarkimet do të vazhdojnë deri në normalizimin e situatës, por ka shenja të rënies së prurjeve”, deklaroi Stojku. Në të tilla kushte, shkarkimi i ujërave nga kaskadat është parë si mënyra e duhur, ashtu siç ndodhi në fakt edhe gjatë muajit janar.

Përmirësimi i situatës

Specialistët e energjetikës në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare po tregohen optimist për përmirësimin e situatës duke u bazuar dhe në parashikimin e motit, i cili do të jetë pa reshje. Sipas parashikimit meteorologjik mbi të cilin funksionon KESH-i mësohet se reshjet e shiut priten të ndërpriten gjatë ditës së sotme, çka do të thotë reduktim të ndjeshëm të prurjeve anësore në liqenet e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit. Ndërkohë, mësohet se piku i prurjeve në kaskadën e Drinit ka qenë në mbrëmjen e ditës së hënë. Korporata Elektroenergjetike ka nisur shkarkimet në datën 16 prill, si rruga e vetme për të siguruar digat e hidrocentraleve dhe sipas parashikimeve portat do të vazhdojnë të derdhin ujin deri sa niveli i liqeneve të arrijë në parametrat e lejuar.

Siguria e digave

Me gjithë reshjet e shumta të shirave dhe mbushjes së liqeneve të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin, në asnjë moment nuk cenohet siguria e digave. Sipas ekspertëve të KESH-it, situata është shumë normale për sa i përket sigurisë, ndërkohë që vëmendja është përqendruar në mbajtjen në kontroll të përmbytjeve për të eliminuar dëmet. Deklaratat mbështeten edhe në provat që janë bërë më herët për kapacitetet mbajtës së këtyre digave. Madje shifrat tregojnë që jo rrallëherë është tejkaluar kapaciteti maksimal i tyre dhe situata është mbajtur nën kontroll. Megjithatë, janë parashikuar që gjatë këtij viti të bëhen një sërë investimesh serioze që kanë të bëjnë kryesisht me mirëmbajtjen e digave, si dhe me thellimin e baseneve ujore të hidrocentraleve të ndërtuar mbi kaskadën e lumit Drin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›