HETIMI/ Si e zbulova varrin masiv duke kërkuar eshtrat e babaitNga Balkan Insight Shumë vite pas rënies së regjimit komunist, shumë familje të shqiptarëve të ekzekutuar nga komunistët, janë duke kërkuar në mënyrë të dëshpëruar për trupat e
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
HETIMI/ Si e zbulova varrin masiv duke kërkuar eshtrat e babaitNga Balkan Insight
Shumë vite pas rënies së regjimit komunist, shumë familje të shqiptarëve të ekzekutuar nga komunistët, janë duke kërkuar në mënyrë të dëshpëruar për trupat e të afërmve të tyre.
Ndërsa ekskavatori gërmon në një rrugicë të ngushtë, mes kazermave të vjetra ushtarake dhe pyjeve me pisha në shpat të malit të Dajtit, një skelet shfaqet, i varrosur në një gropë të cekët.
Xhaketa prej pambuku e burgut tregon se viktima është ekzekutuar në dimër, ndërsa dhëmbët e rregullt dhe nofullat e forta tregojnë se ai ka qenë i ri kur ka vdekur.
Goni, pronar i një biznesi të vogël, që ka gërmuar dhe më parë për të gjetur eshtrat e të atit në një vend tjetër, e di që do ketë të tjerë.
“Një tjetër skelet shfaqet dy metra më tutje, e më pas një i tretë, që më së shumti duket se është zhvendosur nga një tjetër varr për shkak se kockat i ka të thyera e të mbledhura në një thes së bashku me rrobat, orën, dy rripa dhe protezat,” thotë ai.
Që kur nisi të gërmojë në tetor të vitit 2009, afër një baze ushtarake të njohur si Kazerma 313, afër fshatit Linzë, pesë kilometra në lindje të Tiranës, ai ka gjetur mbetjet e 19 trupave.
Shqipëria është një nga të paktit vende të ish- Perdes së Hekurt që nuk ka hapur arkivat e shërbimeve sekrete të periudhës komuniste. Si rezultat, nuk ka të dhëna të sakta për numrin e të burgosurve politikë, të vrarë nga regjimi.
Megjithatë, Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë beson se 5.577 burra e 450 gra janë ekzekutuar nën regjimin komunist, nga viti 1946 deri në vitin 1991.
Rreth dy dekada pas rënies së regjimit, mijëra të afërm të të burgosurve politikë të ekzekutuar, ashtu si Goni, janë duke hamendësuar ku mund të jenë trupat e të dashurve të tyre.
Një debat ka shpërthyer prej vitesh në Shqipëri nëse duhen hapur dosjet e shërbimeve sekrete të periudhës komuniste. Ndërkohë, autoritetet kanë bërë pak për të ndihmuar ata që kërkojnë për trupat e personave të ekzekutuar nga komunistët.
Shumë ish- të burgosur politikë dhe familje të viktimave besojnë se niveli i implikimit mes elitës aktuale politike dhe intelektuale dhe lidershipit komunist, do të thotë që nuk do të ketë kurrë një proces të pavarur që do të hedhë dritë mbi krimet e një nga diktaturave më të ashpra në botë.
Me kusht që të mos identifikohet me emrin e tij të vërtetë, Goni pranoi të shtunën tu tregojë reporterëve se si zbuloi varrin masiv.
Zëri i babait
Goni nisi të kërkojë për mbetjet e babait të tij në vitin 1994, kur ishte student i Ekonomikut në Universitetin e Tiranës. Babai i tij ishte ekzekutuar në vitin 1976, pasi regjimi e kishte akuzuar se i përkiste një grupi sabotator në industrinë e naftës dhe se po përhapte propagandë kundër qeverisë.
Goni bëri vizita të shumta në zyrat e Ministrisë së Brendshme, që merret me kërkesat për kthimin e trupave të të burgosurve politikë që janë ekzekutuar.
“Shpresoja se me ndonjë ryshfet të vogël, ose me një sjellje të mirë, të bindja dikë që të më jepte ndonjë dokument që do më drejtonte për tek babai,” kujton Goni. “Prita orë pa fund, por përgjigja ishte gjithmonë e njëjtë: Nuk ka një dokument të tillë.”
Pavarësisht këtij muri zyrtar, Goni nuk u dekurajua. Me kalimin e viteve ai arriti të ndërtojë marrëdhënie me zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe ish-agjentë të Sigurimit të Shtetit dhe mësoi emrin e ekzekutorëve të babait të tij, që kishin punuar nën urdhrat e ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu.
Përmes kërkimeve dhe intervistave, Goni ariti të gjejë dokumentin që lidhej me ekzekutimin e babait. Ai përmbante katër emra. Njëri ishte mjeku ligjor, por ai nuk kishte marrë pjesë në ekzekutim, thjesht kishte firmosur letrat. Dy të tjerë kishin vdekur. I treti ishte personi që kishte tërhequr këmbëzën- dhe ai, jo vetëm që ishte gjallë e mirë, por pranoi ta takonte Gonin pasi ish-oficeri superior i tij e bindi që të vepronte kështu.
Goni kujton rrethanat e pazakonta të takimit me personin që i vrau babain.
“Ishte rreth të tetëdhjetave, i veshur mirë me një kostum,” thotë ai. “Ai pretendonte se nuk e dinte ku ishte varrosur babai im.”
Goni mësoi më vonë se ekzekutuesi i babait të tij ishte “nga ata tipa vrasësish që kanë qejf të gjymtojnë viktimat e tyre pasi i kanë vrarë”.
Më në fund, pak vite më parë, Goni gjeti një volum dokumentesh të klasifikuar nga arkiva e Ministrisë së Brendshme, që përmbanin dhe dosjen e të atit.
Përveç dokumentave të tjera, dosja përmbante dhe regjistrime të babait kur ishte në burg e gjatë procesit gjyqësor.
Në kasetën numër katër ai dëgjoi zërin e babait për herë të parë. “Babai deklaroi pafajësinë përpara gjyqit dhe hodhi poshtë akuzat,” thotë Goni. “Prandaj ata e vranë. Ai refuzoi që të bashkëpunojë me shërbimet sekrete.”
Heshtja kolektive
Edhe pse parlamenti shqiptar miratoi vitin e shkuar një ligj për hapjen e dosjeve të Sigurimit, siç quhej atëherë policia sekrete, që synonte kryesisht lustrimin e figurave publike, shumë kritikë mendojnë se ai u përgatit në atë mënyrë që të rrëzohej nga Gjykata Kushtetuese.
Përveç se nxiti debate në lidhje me parlamentarë apo hetues të ndryshëm se ishin apo jo ish-spiunë dhe kishin duart me gjak, ligji bëri shumë pak për të zbuluar të vërtetën për të kaluarën komuniste të Shqipërisë.
Një tjetër ligj lustracioni i miratuar në vitin 1995 u cilësua i papërshtatshëm dhe u anulua.
Pasi disa grupe interesi u ankimuan për të, edhe ligji më i fundit për lustracionin u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues.
Ligji, i përgatitur nga qeveria e qendrës së djathtë të Sali Berishës, mori dhe kritika nga Këshilli i Europës, që e rrëzoi atë pas një rishikimi.
“Jo vetëm që ka pasur një mungesë vullneti për të hapur dosjet, por gjithashtu ka pasur vullnet për t’i manipuluar ato,” thotë shkrimtari dhe ish-disidenti politik, Fatos Lubonja.
“Kjo për shkak se elita aktuale politike dhe intelektualë është skllave e së shkuarës,” shton ai. “Një pjesë e elitës ishin informatorë, ndërsa të tjerë i shërbenin regjimit në mënyrë të tjera, duke krijuar në formë solidariteti mes tyre në lidhje me këtë çështje.”
Varre të cekëta, plagë të thella
Edhe pse Goni arriti të gjente një numër të madh dokumentesh të klasifikuar në lidhje me gjyqin e babait të tij, ato nuk i ofruan informacion në lidhje me trupin e tij.
Ish-ekzekutuesi i babait të tij i kishte sugjeruar një vend ku ishte ngritur një ndërtim i ri, por Goni nuk ishtë i bindur.
Pas vitesh gërmimi në vende të ndryshme dhe grumbullimit të informacioneve në lidhje me vendet ku bëheshin ekzekutimet, Goni zbuloi se shumë njerëz të tjerë po bënin të njëjtën gjë, kërkonin për të dashurit e humbur.
Ndërsa fjala për kërkimet e tij po përhapej, një ish-agjent sekret i dha një listë të agjentëve që punonin në zonë në atë kohë kur iu vra babai.
Goni bëri një zbulim të rëndësishëm kur mësoi emrin e komandantit të skuadrës së ekzekutimit që vrau babanë e tij.
“Edhe pse ishte i trembur në fillim, ai e kujtonte rastin e babait tim dhe pranoi të më ndihmonte për të gjetur trupin,” kujton Goni.
Ai zbuloi se skuadra e ekzekutimit të babait të tij kishte rreth 40 veta, disa vëzhgonin zonën, të tjerë hapnin gropa. Më pas ishin ata që kishin tërhequr këmbëzën.
Ish-komandanti i tha se nëse gropat hapeshin në mbrëmje, atëherë ekzekutimi kishte ndodhur në mesnatë. Pasi kontrolloi këto detaje dhe i përballi me të tjera, Goni nisi të gërmonte që nga varreza e qytetit të Tiranës deri tek Kazerma 313.
Me ndihmën e ish-komandantit të skuadrës së pushkatimit dhe të tjerë ish-anëtarë të skuadrës, në tetor Goni nisi të gërmojë me ndihmën e një ekskavatori dhe disa ditë më vonë gjeti mbetjet e 18 personave në atë zonë e rrethina.
Fillimisht ai besonte se një nga këto trupa ishte i babait të tij- dhe i dërgoi në morgun e qytetit për ekzaminim. Për fat të keq, doli që nuk ishin eshtrat e tij.
Ai dyshonte se eshtrat e tjera ishin të At Shtjefen Kurti. Komunistët e ekzekutuan priftin në vitin 1971 duke e akuzuar se pagëzonte fëmijë në mënyrë ilegale në një fshat afër Durrësit. Ky ishte një krim pasi regjimi komunist e kishte shpallur të paligjshme fenë në vitin 1967, duke e bërë Shqipërinë të parin shtet ateist në botë.
Nipi i At Kurtit, Nikolini, ka kërkuar gjatë për eshtrat e tij, në mënyrë që ato të prehen në katedralen e re të Tiranës.
“Varri i xhaxhait tim në katedralen metropolitane po pret për eshtrat që kur është ndërtuar dy dekada më parë,” thotë ai.
Por edhe identifikimi i Kurtit rezultoi negativ pas testeve të ADN, të bëra nga Kisha Katolike në Itali.
Ndërsa Goni po gërmonte tek Kazerma 313, njerëzit që kërkonin për të dashurit e tyre me lopata, kishin ndarë me të historitë e tyre.
“Intervistova njerëz që kanë gërmuar përpara meje dhe u ngushëllova se nuk kishin gjetur asgjë që shkonte me përshkrimet për babain tim,” thotë Goni. “Por isha i shqetësuar për shkak se trupat ishin identifikuar në mënyrë jo shkencore, por kryesisht nga rrobat dhe kujtimet e të afërmve.”
Goni vazhdoi të gërmojë, jo vetëm tek Kazermat, por rreth e qark zonës. Ai gjeti të tjera eshtra, trupa të rivarrosur dhe të tjerë që nuk ishin lëvizur aty që nga ekzekutimi.
Ai tashmë është mes dy hipotezave në lidhje me vendin ku prehet i ati. “Ose ndoshta dikush ka gërmuar dhe e ka marrë, duke qarë mbi varrin e tij duke besuar se është i ati,” thotë ai, “ose Sigurimi e ka zhvendosur atë pas ekzekutimit dhe e ka varrosur diku tjetër.”
Të shtunën ai i dorëzoi të gjitha qeset plastike me trupat në morgun e Tiranës, me shpresë që autoritetet t’i identifikojnë.
“Ky është është një varr masiv,” psherëtin ai, duke shtuar: “Këto eshtra e meritojnë një emër.”