E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti, 120 mijë euro nga biznesi për fëmijët jetimë

 Përmbyllet me sukses projekti "Biznesi në Mbështetje të Fëmijëve Jetimë". Për një vit u përfshinë 25 kompani, shoqata biznesi, universitete, shkolla, spitale, përfaqësues të mediave. Ishte hera e parë që në vendin tonë u ndërmor një nismë e tillë, në mbështetje të fëmijëve jetimë. Të gjitha subjektet e përfshira në këtë projekt kontribuan drejtpërdrejtë për jetimët, bazuar në fushën e tyre të aktivitetit, duke ndërmarrë projekte, duke bërë sponsorizime dhe aktivitete për këtë pjesë të shoqërisë sonë. Shuma totale e shpenzuar nga të gjitha kompanitë dhe bizneset pjesëmarrësve në nismë është më se 120 mijë Euro. Ato kanë shkuar kryesisht në formë ndihmash te fëmijët jetimë. Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin, në fjalën e tij falënderoi të gjithë kompanitë dhe subjektet mbështetëse pjesëmarrëse dhe shtoi se të gjithë kjo nismë ishte diçka që nuk ishte bërë më parë. "Për herë të parë sektori privat u mblodh dhe ndihmoi fëmijët jetimë. Vitin që kaluam interesimi dhe përkujdesja ndaj fëmijëve pati një rritje të ndjeshme. Gëzuan më shumë, shëtitën më shumë, u kënaqën më shumë dhe kuptuan që nuk janë vetëm", tha Taskin.  Ai shtoi se bashkëpunimi me biznesin dhe institucionet e tjera do të vazhdojë, por këtë herë në fushën e mjedisit, ku do të hidhen hapa të mëtejshëm e të suksesshëm. Roli i mediave ka qenë mjaft i rëndësishëm në këtë nismë dhe  Taskin i ka ftuar ata që të mbështesin edhe më tej këto mesazhe mjaft me vlerë dhe projekte që ndryshojnë jetë njerëzish. Kompanitë që mbështetën këtë nismë ishin: Agna Group, Aksoy Group, Alpet, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Eagle Mobile, Epoka University, FIAA, Hotel Sheraton, Huaëei Technologies, Kolegjet Turke, Interalbanian, Konfindustria, Klinikat Vrioni, Rrjeti i Dyqaneve LTB, Spitali Amerikan i Tiranës, Tropikal Resort - Durrës, Turkish Airlines, ZKT, ZMQ, Gazeta "Panorama" dhe "Më Shumë Dashuri". Ndërkohë, Fondacioni "Fëmijët Shqiptarë", Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ministria e Punës dhe çështjeve Sociale, Ministria e Brendshme (lidhur me fëmijët e Policëve të vrarë në krye të detyrës), etj, kanë bashkëpunuar në përcaktimin e fëmijëve në nevojë që ndihmat e këtyre kompanive të ishin sa më efikase. Pas përmbylljes së suksesshme të nismës "Biznesi në mbështetje të fëmijëve Jetimë, Eagle Mobile ka shpallur vitin 2010 "Vitin e Mjedisit". Kompania fton të gjitha bizneset që operojnë në vend, që t'i bashkohen sërish kësaj iniciative që ka impakte aq të rëndësishëm në shoqëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›