E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjitha ndryshimet e Maturës 2010

 zirina llambroKa qenë vetë Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili disa javë më parë deklaroi se skema e Maturës Shtetërore 2010 do të mbetet po ajo. Por përtej optikës  me të cilën i referohen ndryshimit politikbërësit, faktikisht këtë vit risitë janë jo pak. Të paktën parë nga këndvështrimi i vetë  maturantëve. Ndryshime do të ketë në mënyrën e pranimit në shkollat e larta, korrigjimin e testeve, përgatitjen përpara provimeve dhe afateve kur do të mbyllet procesi. Por gjithashtu në një tjetër mënyrë do të bëhet edhe grupimi i nxënësve të rretheve gjatë zhvillimit të provimeve me zgjedhje. Skema e re u prezantua dje gjatë konferencës "Matura Shtetërore drejt standardeve evropiane". Ajo çka prek të gjithë kandidatët për në universitet është heqja e formularit A3 dhe A4 për kuotat e parealizuara. Këtë vit për herë të parë i gjithë procesi do të mbyllet brenda fazës së parë. Pra pas plotësimit të formularit A2, me anë të së cilit maturantët caktojnë 10 degët e shkollës së lartë, do të  shpallet lista përfundimtare e fituesve. Nuk do të ketë më vende bosh. Kjo edhe në rastet kur për fakultete të caktuara pas mbylljes së procesit të regjistrimit nuk plotësohet numri i tyre.  "Nga eksperienca e viteve të mëparshme është vënë re se këto formularë nuk ndihmojnë maturantët dhe zgjasin shumë procesin e pranimit në shkollat e larta. Madje e vështirësojnë më tepër atë. Për rrjedhojë, ne kemi vendosur që këtë vit të aplikojmë pranimet në shkollat e larta pa formular A3 dhe A4", deklaroi dje Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ai shtoi se ndryshe nga më parë, maturantët do të plotësojnë formularin A2, pasi të njihen me rezultatet e 4 provimeve të maturës. "Brenda 30 qershorit do të përfundojë gjithë procesi. Në këtë mënyrë ne do të kemi mbyllur deri në mes të korrikut edhe korrigjimin e testeve. Ky ndryshim do të sjellë orientim më të mirë të maturantëve, pasi nga eksperiencat e viteve të mëparshme është vërejtur se shumë prej tyre kanë zgjedhur degët e gabuara, pasi nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme për  të marrë për bazë rezultatet e provimeve. Tanimë ata do të plotësojnë formularin A2 vetëm pasi t'i kenë në duar këto rezultate", tha Tafaj.Korrigjimi dhe administrimiNdryshime do të ketë edhe në vlerësimin e maturantëve. Këtë vit nuk do të aplikohet rikorrigjimi i tezave, por do të ketë korrigjim të dyfishtë. Ai konsiston në kontrollin e testit nga 4 mësues të ndryshëm. Vitet e mëparshme numri i tyre ka qenë dy. "Pra do të kemi korrigjimin nga dy mësues, që është korrigjimi i parë dhe në rastin kur diferenca me dy vlerësuesve është e ndjeshme, atëherë bëhet një vlerësim i dytë dhe në fund çdo test është i certifikuar nga tre korrigjues dhe nga një përgjegjës", tha Tafaj. Në këtë mënyrë, sipas tij, vlerësimi do të jetë më objektiv dhe me standardet që aplikohen edhe në vende të tjera. Për t'i arritur ato, korrigjuesit do të jenë mësuesit më të mirë të Shqipërisë, të cilët do të trajnohen paraprakisht. "Gjithashtu do aplikojmë pas konsultimit me specialistët dhe mësuesit, një formë të re të administrimit të maturës. Nxënësit e shkollave në zonat rurale provimet me zgjedhje do t'i japin vetëm në qytete. Do të realizohet grupimi i tyre në këto shkolla të mëdha, për të evituar qoftë abuzimet, qoftë subjektivizmit dhe favoret të vërejtura gjatë maturave të mëparshme", theksoi kreu i arsimit. Administratorët e provimeve do t'i nënshtrohen trajnimeve dhe do të vlerësohen me kredite. Sipas Tafajt, shumë shkolla në zonat ruale kanë dëshmuar për rezultate të ulëta në Maturën Shtetërore. Gjithashtu në gjimnaze do të nisë konsultimi i nxënësve me mësuesit që këtë muaj, në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur për mënyrën si do zhvillohet gjithë procesi. Do të caktohet dita e këshillimit të karrierës, ku prindër mësues e nxënës do të diskutojnë për zgjedhjen e duhur për në shkollë të lartë. Në universitete do të ketë një ditë në muaj në dispozicion të vizitave të maturantëve. Kështu paraprakisht, ata do të njihen me ambientet e fakulteteve ku duan të studiojnë dhe mënyrën e mësimdhënies në to.Ndryshimet    Hiqen formularët A3 dhe A4 për kuotat bosh në universitete.    Këtë vit aplikimi i Formularit A2 do të jetë edhe përmbyllës për regjistrimin     Formulari A2 do të plotësohet nga maturantët pasi çdo nxënës të ketë në dorë rezultatet e katër provimeve të Maturës.     Këtë vit procesi i provimeve të MSH ato të detyrueshme dhe me zgjedhje do të përfundojnë brenda datës 30 qershor 2010.    Do të zbatohet korrigjimi i dyfishtë dhe korrigjuesit do të jenë mësuesit më të mirë që do të trajnohen dhe vlerësohen edhe me kredite.    Provimet me zgjedhje do të organizohen në qendra të përqendruara në çdo qark të vendit.    Rezultati negativ i njërit prej provimeve të MSH nuk do të penalizojë hyrjen e maturantëve në provimet me zgjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›