E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rubena Moisiu: Do ulim lindjet me operacion

 Ulja e vdekshmërisë foshnjore, lindjeve me operacion, por edhe informatizimi i të dhënave për të gjitha pacientët, do të jenë prioritet kryesore të vitit 2010, për Maternitetin "Koço Glozheni". Gjithçka u bë me dije dje gjatë analizës vjetore të këtij institucioni shëndetësor. "Ulja e vdekshmërisë përreth lindjes, që do të thotë para, gjatë dhe pas lindjes, e kemi ulur këtë vit në krahasim me vitet e tjera, por do dëshirojmë ta ulim edhe më shumë, në mënyrë që të arrijmë nivelet evropiane. Do tentojmë vazhdimisht të ulim lindjet me operacion. Do e realizojmë informatizimin e të dhënave për çdo pacient", deklaroi drejtoresha Rubena Moisiu. Në këtë analizë ishte i pranishëm, kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili u shpreh se rritja e transparencës në institucionet shëndetësore do të jetë një kusht i domosdoshëm për reformën në shëndetësi, duke luftuar korrupsionin në radhët e bluzave të bardha dhe më gjerë. "Sistemi shëndetësor shqiptar ka drejtësi shoqërore. Nuk mundet të stimulojmë më spekulimin në kurriz të këtij sistemi. Kushdo që i militon idesë për një lloj antireformë, qoftë kjo dhe nga segmente të caktuara të politikës, do të thotë rrënim i institucioneve shëndetësore, indisiplinim i tyre, qytetarë që nuk dinë ku e kanë vendin, po dhe mjekë të cilët kompromentojnë raportin e tyre në një marrëdhënie informale", tha Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›