E Diel, 1 Nëntor 2026

KiE: Tryeza, nismë e rëndësishme për zgjidhjen e krizës politikeNga Tema UPDATE- Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjørn Jagland tha dje se mirëpret iniciativën e presidentit Topi dhe e sheh atë si një mundësi të rëndësis

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

KiE: Tryeza, nismë e rëndësishme për zgjidhjen e krizës politikeNga Tema
UPDATE- Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjørn Jagland tha dje se mirëpret iniciativën e presidentit Topi dhe e sheh atë si një mundësi të rëndësishme për të zgjidhur krizën. “Mirëpres iniciativën e presidentit Topi për të mbledhur një tryezë të përbashkët me liderët politikë më 13 shkurt, në përgjigje të rezolutës së Asamblesë së Këshillit të Europës për funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Iniciativa është një mundësi e rëndësishme për t’i dhënë fund krizës politike dhe për të çuar përpara reformat e vendit dhe axhendën e integrimit europian,” thuhet në deklaratën e Jagland.

Dita përpara tryezës së negociatave duket se ka nënshkruar përfundimisht dhe dështimin e tyre. Të dy palët janë përpjekur të paraqesin mbështetjen që kanë nga ndërkombëtarët para një tryeze që ka ardhur si shkak i presionit ndërkombëtar. Mazhoranca ka përdorur një deklaratë të grupit të djathtë në Parlamentin Europian, ndërsa e majta ka folur për një qëndrim të mbajtur nga grupi i majtë në këtë parlament. Berisha ka arritur madje të shkëpusë dhe një deklaratë mbështetje nga miku i tij, kryeministri italian Silvio Berluskoni, që ka deklaruar pasi ka marrë miratimin e Berishës për ndërtimin e një centrali atomik, se opozita duhet të hyjë në Kuvend.

***
Një ditë përpara tryezës mes kreut të Partisë Socialistë dhe asaj Demokratike, kryetari i opozitës ka bërë takime me diplomatët kryesorë në vendin tonë. Edi Rama është takuar me ambasadorin e Spanjës, vendit që mban presidencën e Bashkimit Europian dhe me të dërguarin e Komisionit Europian, Helmut Lohan. Pak më vonë është takuar dhe me ambasadorin amerikan. Por, mazhoranca po i përgjigjet këtyre iniciativave të opozitës duke kundërvënë një deklaratë të Partive Popullore në Parlamentin Europian, që kërkojnë kthimin e opozitës në parlament dhe pranimin e rezultatit zgjedhor, duke e quajtur atë si rezultat korrekt. Situata në këtë mënyrë duket e acaruar për shkak se palët nuk kanë pranuar që të lëshojnë pe.

***
Presidenca e Bashkimit Europian ka reaguar në lidhje me tryezën e së shtunës. Spanja, kryesuesja e radhës ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se mirëpret nismën e presidentit dhe reagimin pozitiv të dy liderve politikë për pjesëmarrjen në takim dhe marrjen në konsideratë të rrugëve të përbashkëta për të ecur përpara sa më shpejt të jetë e mundur.
“Bashkimi Europian rikonfirmon perspektivën europiane të Shqipërisë dhe inkurajon aksione që mund të garantojë që Shqipëria të ecë përpara në këtë process. Në këtë kontekst, ngërçi aktual politik duhet të tejkalohet nga lidershipi politik, duke marrë parasysh të gjitha implikimet e vazhdimit të impasit për interesat kombëtare,” thuhet në deklaratën e BE.

***

Njeriu që me shumë gjasë do marrë drejtimin e Parlamentit Europian, Martin Schultz, aktualisht president i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, bën thirrje për transparencë të plotë

Zyrtarët e lartë të Parlamentit Europian kërkojnë hapjen e kutive të votimit dhe hetim të plotë për procesin zgjedhor të qershorit.
Deklarata është bërë nga Martin Schultz, Presidenti i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian pas një takimi me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Schultz është një nga njerëzit më të rëndësishëm në Parlamentin Europian dhe sipas një marrëveshje mund të jetë njeriu që do drejtojë Parlamentin Europian në vitin 2012.
Në një deklaratë zyrtare thuhet se “z.Schultz shprehu shqetësimin e Grupit të tij rreth bojkotit të Kuvendit të Shqipërisë nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste të Shqipërisë pas zgjedhjeve parlamentare në vend në qershor 2009.”
Ndërsa Rama nga ana e tij shpjegoi arsyet për këtë bojkot dhe kërkesat e partisë së tij për një transparencë më të madhe të procesit zgjedhor në Shqipëri. Ai gjithashtu shpjegoi se partia e tij pranon vendimet e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve pas zgjedhjeve dhe se nuk është objektivi i partisë së tij ndryshimi i rezultatit të zgjedhjeve. “Partia Socialiste, megjithatë, kërkon ngritjen e një komisioni hetimor me qëllim ushtrimin e një hetimi të plotë për manipulimet e mundshme përgjatë zgjedhjeve të vitit 2009 që mundëson përmirësimin e procesve zgjedhore në të ardhmen,” tha Rama. Kryetari i PS deklaroi se kur një vendim për një hetim të plotë të jetë marrë, atëherë anëtarët e partisë kryesorë të opozitës do të marrin përgjegjësitë e tyre në Parlament dhe të kontribojnë për forcimin e procesit të integrimit Europian.
“Z.Schultz dhe z.Rama ranë dakord që një rrugë-dalje për krizën politike aktuale në Shqipëri duhet të gjehet urgjentisht dhe se një bazë e re dialogu konstruktiv ndërmjet qeverisë dhe opozitës duhet të vendoset. Për këtë qëllim u ra dakord që opozita të kthehet në Parlament në të njëjtin moment, pasi të jetë marrë një vendim për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të ushtrojë një hetim të plotë, përfshirë hapjen e kutive të votimit, mbi mënyrën se si u mbajtën zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Ky hetim duhet të sigurojë transparencë të plotë si një bazë për përmirësime të rëndësishme për mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, me qëllim përmbushjen e standardeve ndërkombëtare. Ekspertë ndërkombëtarë duhet të asistojnë komisionin hetimor në përmbushjen e punës së tij dhe duhet gjithashtu të asistojnë në përcaktimin e përmirësimeve të nevojshme të kuadrit zgjedhor. Z.Schultz dhe Z.Rama e konsideruan inicijativën e marrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë si një hap serioz dhe i nevojshëm drejt gjetjes së një zgjidhjeje për krizën politike në vend,” thuhet në njoftimin zyrtar të grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian.

***
Ambasadori i Komisionit Europian në vendin tonë, Helmut Lohan ka deklaruar nga Vlora se BE mirëpret tryezën e përgatitur nga presidenti Topi për zgjidhjen e krizës. Lohan tha se ka përpjekje për ta zgjidhur këtë ngërç dhe bëri thirrje që palët t’i japin fund situatës së krijuar.

***
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar takimet në Strasburg në kuadër të propozimeve për zgjidhjen e krizës në vend. Eurodeputeti Hannes Svoboda, një njohës i mirë i problemeve në vendin tonë, ka deklaruar se qeveria duhet të bëjë transparencë dhe hetim të plotë të zgjedhjeve, përfshi këtu dhe hapjen e kutive. Para pak ditësh, Svoboda, duke folur për radion Dojçe Vele, tha se një vend që nuk zgjidh vetë problemet e tij, nuk meriton të jetë në BE. Ai bëri thirrje që qeveria të bëjë propozime për zgjidhjen e krizës.

***

Presidenti Bamir Topi priti Shefin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Robert Bosh në kuadër të konsultimeve që Kreu i shtetit po zhvillon në prag të tryezës politike së të shtunës.
Mësohet se presidenti e ka falenderuar Ambasadorin Bosh për deklaratën e djeshme mbështetëse ndaj rolit dhe tryezës politike të thirrur nga Presidenti.
“Nga ana e tij Ambasadori Bosh shprehu edhe njëherë vlerësimin për rolin e Presidentit Topi duke e siguruar njëkohësisht atë për të gjithë gatishmërinë e OSBE-së për të ofruar përvojën dhe asistencën e saj në rifunksionimin e suksesshëm të demokracisë parlamentare shqiptare,” thuhet në një njoftim të presidencës.

***
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar nga Strasburgu se u ka ritheksuar zyrtarëve atje nevojën e transparencës së plotë zgjedhore. Rama tha se ka qenë një ditë e ngjeshur me takime, në kërkim të gjetjes së një zgjidhje. Rama tha se ka kërkuar që të bëhet transparencë për t’i dhënë fund korrupsionit elektoral.
Nga ana tjetër, Libor Roucek, Zv/President i Parlamentit Europian, tha se zgjidhje mund të jetë dhe hapja e pjesshme e kutive. Ai tha se është e nevojshme të bëhet hetim i zgjedhjeve në funksion të së ardhmes së vendit, që të mos ketë më probleme me zgjedhjet. Roucek tha se duhet të hapen disa kuti në çdo zonë si një opsion i mundshëm.

***

Edhe Shtetet e Bashkuara kanë përshëndetur nismën e presidentit për të mbledhur palët në një tryezë. Ambasada e SHBA në vendin tonë e sheh këtë si një moment të mirë për të kapërcyer ngërccin aktual.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e Presidentit Topi dhe Këshillit të Evropës për të ndërmjetësuar bllokimin e vazhdueshëm të situatës politike. Në këtë kontekst, ne përshëndesim udhëheqjen e Presidentit Shqiptar Topi në mbikëqyrjen e diskutimeve midis qeverisë dhe opozitës që do të fillojë më 13 shkurt.
Ne besojmë se ky proces ofron një mundësi të rëndësishme për zgjidhjen pa vonesë të mëtejshme të ngërçit aktual politik. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfitojnë nga kjo mundësi. Një zgjidhje e shpejtë e ngërçit do të mundësojë që palët të përqëndrohen në axhendën Euro-Atlantike të Shqipërisë,” thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

***

Partia Socialiste iu përgjigj deklaratës së kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli se bojkoti është drejt fundit, duke thënë se pa transparencë të plotë opozita nuk rikthehet në Kuvend.
“Spikerja e Kuvendit ta lërë diversionin e saj bajat të paktën në prag të tryezës së presidentit. Mandatet e Partisë Socialiste janë mandate të popullit opozitar, as Jozefina e as Saliu nuk i prekin dhe as i djegin apo përvetësojnë dot përmes diversionit ndaj PS. Bojkoti vazhdon dhe nuk do të ndalet për aq kohë sa nuk do të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Vetëm transparenca e rikthen PS në kuvend ndërsa kutitë e mbyllura do të rinxjerrin popullin në rrugë. Të hapen kutitë për t’i dhënë fund bojkotit,” tha deputetja Gjermeni.

***
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Robert Bosch, bëri sot këtë deklaratë: “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret ngrohtësisht nismën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të organizuar një tryezë politike të rrumbullakët, ditën e shtunë, si një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes së ngërçit politik aktual. I mirëpresim, gjithashtu, edhe reagimet publike pozitive të drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste lidhur me pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe aktive për të shqyrtuar bashkërisht mënyrat në të cilat mund të kapërcehen vështirësitë.”

***
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se është optimiste se bojkoti do të përfundojë shumë shpejt. Ajo deklaroi se ka pritur për gjashtë muaj që bojkoti të mbarojë. Topalli sërish tha se arsyeja e kësaj krize dhe e bojkotit është vetëm Edi Rama.

***
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar pasi Partia Demokratike shprehu qëndrimin e saj për tryezën. Rama tha se shpreson që tryeza të zgjidhë krizën, por shtoi se hapja e kutive është në kusht i patjetërsueshëm. Kryetari i PS deklaroi se në lojë nuk janë fatet e PS, por të demokracisë shqiptar. Rama tha se do të udhëtojë drejt Strasburgut për konsulta.

***

I pari prononcim publik pas njoftimit të presidentit se do thërrasë tryezën e partive, ka qenë ai i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Ai bëri të ditur se PD vlerëson dhe respekton thirrjen e kësaj tryeze. Por Patozi mbajti të njëjtin qëndrim kur tha se të gjitha bisedimet duhet të bëhen duke respektuar kuadrin ligjor, çka për demokratët nënkupton moshapjen e kutive të votimit. Patozi ka zhvlerësuar në njëfarë mënyre edhe rëndësinë e takimit mes Berishës e Ramës kur ka thënë se ata janë gati të takohen me PS dhe partitë e tjera.
“Si një ndër protagonistet e kësaj tryezë, Partia Demokratike është e vendosur që të japë të gjithë kontributin e saj, në përputhje me rregullat e shtetit ligjor, rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës si dhe raportin e OSBE-ODIHR-t për zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Gjithmonë në funksion të këtij qëllimi vullnetmirë, ne i qëndrojmë plotësisht respektimit dhe mbështetjes së plotë të dokumenteve të mësipërme. Dëshiroj të theksoj gjithashtu se kjo mazhorancë ka patur, ka dhe do të vazhdojë të ketë dialog me Partinë Socialiste dhe me cdo faktor tje

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›