E Shtunë, 31 Tetor 2026

HILARI, ZONJA E GAFAVE

Gafa e fundit përfundoi duke u treguar si një ndodhi e ilustruar me karikatura në tabloidet më të famshme britanike. Fjala është për një nga figurat femërore më të lakuara të diplomacisë amerikane, njëkohësisht edhe për bëmat e saj, Hilari Klinton. Ashtu si edhe shumë figura të tjera të mëdha ajo është pre e ‘gafave‘ të shëmtuara, që në shumë raste kanë krijuar incidente, jo pak të rënda në diplomacinë botërore. Me një pamje të qeshur, një guxim të pashtershëm dhe gjithnjë e vendosur, ish-zonja e parë amerikane shfaqet lirshëm "ku të mundet", duke bërë rolin e lideres, që edhe pse pa e kuptuar ligjëron deklarata të cilat ngjallin pakënaqësi dhe keqkuptime në botën diplomatike. Sigurisht që këtë as media nuk ia ka falur.
Ministri i Jashtëm britanik, Dejvid Miliband, psherëtin thellë në dhomën e gjumit: "Ndonjë ditë do të takoj në orën 10 në ‘Downing Street‘". "Dhe unë do të tregoj ‘studion time ovale‘", i përgjigjet në krahun tjetër Hilari Klinton, që është përshkruar me shumë humor nga shtypi britanik në një intervistë për të përmuajshmen "Vogue".
Është shumë e vështirë që të arrish të imagjinosh Henri Kisinger ose Kondoleza Rajs të thonë gjëra të tilla. Por vetëm pas 9 muajsh nga fillimi i mandatit të saj, është shumë e qartë që Hilari Klinton ka vendosur për të ripërcaktuar rolin e sekretares së Shtetit amerikan, duke i dhënë një ndryshim të dukshëm antikonvencional. Në të vërtetë ka shumë prej atyre që janë entuziastë për qasjen e saj, ashtu sikundër edhe shumë të tjerë që nuk ndajnë të njëjtin mendim. "Diplomatja më e lartë amerikane nuk është ‘shumë diplomatike‘", bën përcaktimin e tij një prej drejtuesve demokratikë, që gjithsesi ka preferuar të mbetet anonim për arsye personale.
Deri pak kohë më parë, gafat e Hilari Klintonit, edhe pse gabime të falshme, kanë pasur një kontribut negativ, i cili ka komplikuar edhe më shumë negociatat e paqes në Lindjen e Mesme, kjo për shkak të një serie deklaratash surprizë dhe gjykimesh në lidhje me kolonitë në territoret palestineze, të cilat kanë krijuar jo pak tension si në Jerusalem, ashtu edhe me liderët e tjerë arabë.
Sekretarët e mëparshëm amerikanë të Shtetit e dinin shumë mirë që të jesh ‘i mërzitshëm‘ është shumë më e preferueshme. Ndërkohë, Hilari vijon me të njëjtën frymë dhe shpirt ashtu si edhe ishte shfaqur gjatë fushatës së saj elektorale, duke qenë e pranishme shpesh në shumë programe televizive dhe në takime të ndryshme me studentë, ku është thuajse e pashmangshme që në ligjëratat e saj, ajo të mos lëshojë ndonjë fjalë më shumë. Më të theksuara kanë qenë gafat e saj në fillim të këtij viti, kur iu desh të takohej me disa prej liderëve kryesorë në Lindjen e Largët dhe Lindjen e Mesme, ku temë kryesore kanë qenë të drejtat e njeriut apo vendosja e paqes në disa vende ku ende nuk është siguruar liria. Ligjërimet e saja të nxituara nuk i ka vënë në dukje vetëm media, por edhe diplomatë apo krerë shtetesh, që janë shprehur hapur kundër atyre që Hilari ka thënë.
"Nuk mund të egërsohet pse Izraeli ngrin vendbanimet apo që Hamid Karzai të riformojë herë pas herë qeverinë e tij", thotë në një deklaratë të tij, Lesli Gelb, presidenti i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. "Liderët e këtyre vendeve janë njerëz shumë të ashpër dhe ndoshta në një të ardhme shumë të afërt ata do të fillojnë që të na marrin më pak seriozisht se tani në të gjitha negociatat që ne zhvillojmë me ta".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›