E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një internet nga njerëzit, për njerëzit, me njerëzit!

Muajin e kaluar, Presidenti Barak Obama tha në Kinë se kritikat mbi internetin e kanë bërë atë një President më të mirë. S‘ka dyshim që interneti i bën vendimmarrësit tanë më transparentë dhe të përgjegjshëm se kurrë më parë.

Një ligj i ri në Finlandë u jep qytetarëve të drejtën e aksesit në një bandë të gjerë interneti, dhe diskutimet e Bashkimit Europian mbi "Paketën e Telekomeve" kanë çuar në një vendim që aksesi i përdoruesve të internetit mund të shtrëngohet, në rast se është e nevojshme dhe proporcionale, vetëm pas një procedure të drejtë dhe të paanshme, duke përfshirë të drejtën për t‘u dëgjuar dhe për rishikim gjyqësor.

Çfarë do të thotë kjo? Me mbi 1,6 miliardë përdorues në të gjithë botën, interneti është bërë i rëndësishëm për të mos thënë jetik për jetën e përditshme. Ai ka revolucionarizuar mënyrën që ne lidhemi me njëri-tjetrin përtej kufijve kohorë, distancës, kulturës apo eksperiencës. Online ne shkëmbejmë ide, ne ndërtojmë dije dhe mirëkuptim, sfidojmë urtësinë konvencionale dhe krijojmë rrjete për ndryshim pozitiv. Shumë prej kësaj është falë sektorit privat, i cili ka pasur largpamësinë, besimin dhe kurajën për të investuar në zhvillimin e shërbimeve dhe teknologjive inovatore, shumë prej të cilave janë falas.

Aksesi në internet nuk është më një luks, por një domosdoshmëri. Ai mund t‘i fuqizojë njerëzit që jetojnë nën pragun e varfërisë. Ai është një instrument për demokraci që mund t‘u kundërvihet qeverisjeve që drejtohen me dorë të fortë. Miliona prej nesh kanë një pritshmëri të ligjshme që shërbimet e internetit duhet të jenë të aksesueshme, të përballueshme, të sigurta, të besueshme dhe të vazhdueshme.

Për gjeneratën më të re, interneti është mundësia e tyre e parë dhe më kryesore. Ai është burimi i tyre kryesor i lirisë dhe informacionit gjithnjë e në rritje. Ai nuk duhet të paraqitet si një vend i errët, i etiketuar me rrezikun dhe kujdesin.

Në momentin që ne hyjmë në autostradën e internetit, ne pa kuptuar lëmë gjurmët e të dhënave personale që t‘i shikojnë dhe t‘i përdorin të tjerët. Kur ne klikojmë për të pranuar termat dhe kushtet e shërbimeve të internetit, ne shpesh jemi të detyruar të japim të dhëna personale pa e ditur se çfarë do të ndodhë me këto të dhëna. Nëse zgjidhja do të jetë me anë të ligjeve globale për privatësinë apo një buton i madh i kuq që fshin, kjo mbetet për t‘u parë. Në rastin më të vogël, fëmijët tanë, si vendasit dixhitalë, duhet të jenë në gjendje për të fshirë gjurmët e tyre. Në fund të fundit, fëmijët kanë të drejtë për një fëmijëri siç ne, emigrantët dixhitalë, kishim përpara se të dilte interneti.

Me një eksperiencë 60-vjeçare dhe me mijëra vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, 47 qeveritë e Këshillit të Europës luajnë një rol kryesor në monitorimin, ndër të tjera, të lirisë së shprehjes dhe së drejtës sonë për privatësi, përfshi atë në internet. Së bashku me qeveritë dhe sektorin privat, Këshilli i Europës po dimensionon politikën e internetit në Europë dhe më gjerë, duke përcaktuar bazat dhe standardet.

Më lejoni të jem i qartë. Liria e shprehjes nuk është një e drejtë absolute; ajo duhet të balancohet me të drejtat e tjera. Kjo është mënyra si e shohim ne në Europë. Liria ecën bashkë me përgjegjësinë. Kjo shtrihet në shqyrtimin e përgjegjësive të bizneseve që ofrojnë teknologjitë dhe shërbimet të cilat depërtojnë dhe dominojnë tregun aq shumë, sa që nuk ka asnjë alternativë të natyrshme.

Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut mbron individët nga abuzimet e shtetit. Në moshën e internetit, qeveritë dhe sektori privat duhet të bashkëpunojnë që të sigurojnë që individët janë të mbrojtur nga abuzimi nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë edhe në hapësirën kibernetike.

Po për menaxhimin e burimeve të domosdoshme për funksionimin e internetit ç‘mund të themi? Çfarë ndodh, për shembull, nëse një qeveri apo korporatë e fuqishme vendos të ndërpresë, ngadalësojë ose të interferojë në aksesin në internet të një vendi tjetër? Diskutimet rreth të ashtuquajturit ndërkombëtarizim të Korporatës së Internetit për Fiksimin e Emrave dhe Numrave (ICANN) po ecën në drejtimin e duhur. Nevojitet që të diskutohet dhe punohet akoma më shumë për këtë.

Por vetëm duke punuar së bashku - biznese, komuniteti ndërkombëtar, organizatat ndërkombëtare dhe shumëkombëshe dhe shtete të veçanta - do të ketë përgjegjësi efektive, liri dhe mbrojtje të të drejtave tona njerëzore kur hyjmë online. Në fund të fundit, le të mos harrojmë se interneti ynë është ndërtuar nga njerëzit, për njerëzit dhe me njerëzit.

*Sekretar i Përgjithshëm i KiE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›