E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fytyrat e Shqipërisë: Përballja e Europës me Anti-Europën

Në një udhëtim jashtë vendit ndodhesha në avion së bashku me një grup sportistësh të rinj. Mesa dukej nga mosha, ata duhej të ishin jo më shumë se 13-15 vjeç. Në një periudhë kur nga politika dhe realiteti i përditshëm shqiptar vijnë çdo ditë e më shumë lajme të zymta, pamja e këtyre të rinjve ofronte një tablo krejt ndryshe. Ata ishin të sjellshëm, të thjeshtë, të qetë. Kishin një sinqeritet natyral. Ata të kërkonin të falur nëse mendonin se bënin diçka që mund të ndërhynte në qetësinë tënde. Ata të falënderonin për gjënë më të vogël që mund të bëje për t‘i ndihmuar. Ata nuk bërtisnin dhe mundoheshin të flisnin me zë të ulët për të mos shqetësuar njeri. Ata ishin një grup mjaft i madh, por të gjithë ishin shumë të edukuar e reflektonin një shkallë të lartë qytetërimi. Ata ishin ajo pjesë e Shqipërisë që e meriton të hyjë në Europë dhe nuk meriton të zvarritet nëpër korridore ambasadash e institucionesh europiane. Ata janë përfaqësuesit e atij qytetërimi shqiptar, i cili ka shumë e shumë vite që mbulohet nga një minoritet i paedukuar, i papërgjegjshëm, i paqytetëruar, shpesh herë vagabondal, brutal e mafioz. Shqiptarë si këta çuna të rinj që ishte krenari t‘i kishe bashkështetas, janë dhe dhjetëra studentë e studente, të rinj e të reja jashtë e brenda vendit, që me një mund të stërmadh, me suksesin e qëndrimin e tyre ndryshojnë opinionet e huaja mbi Shqipërinë, që një pakicë famëkeqe i dominon.
Në fakt, tashmë ndoshta duhet të pranojmë që Shqipëria ka dy fytyra. Njëra është ajo e këtyre të rinjve e të rejave bij e kandidatë të denjë të Europës së bashkuar, tjetra është ajo që Kryeministri tregoi haptazi kur nga podiumi më i lartë i vendit për hir të një interesi të ngushtë politik fyeu familje, prindër, nëna e baballarë, bij e bija. U bënë kohë tashmë që nuk kursen sharjet, gjuhën brutale, kërcënimet për të treguar se po mbron ligjin. Nëse ligji mbrohet nga vulgariteti e kërcënimi, ai ligj të paktën në rrugën drejt BE-së nuk na duhet. Nëse shqiptarët mbrohen duke sharë e fyer, ajo mbrojtje është fyerje e dhunë edhe më e rëndë. Në fakt, kujt mund t‘i besohet se duan të mbrojnë një vlerë ata që dhe fushatën zgjedhore e ndërtuan mbi anti-vlerën. Gjatë dhe pas zgjedhjeve a nuk u vunë në pozicione kyçe ata që në ekrane kur ndiqeshin prej mijëra shqiptarëve arrinin deri aty sa t‘i vërsuleshin bashkë-debatuesve me fjali të tipit: "...do ta tregoj unë ty, surrat i qelbur!..." Apo ata që në fokusin e debatit të tyre kishin fyerjen e kundërshtarit! Apo ata që "argumentet e tyre" i përqendronin te baballarët e të tjerëve! Apo ata që dilnin e festonin kur numërimi i votave s‘kish filluar, mbaruar apo marrë vendimi nga organet përkatëse!
Para pak ditësh, në "College de France" u mbajt një konferencë dyditore mbi fillimet e Bashkimit Europian. U përmendën me nderim të madh ata që quhen baballarët e BE-së: Monnet, Schuman e shumë të tjerë, që publikisht apo privatisht ndihmuan të realizohej kjo ëndërr. Dy gjëra u nënvizuan si vlerat themelore të BE-së, universalizmi dhe respekti reciprok. U përsërit e ripërsërit se pa këto nuk mund të kishte BE. Në atë sallë ku rektorë e drejtues institucionesh europiane flisnin me një përgjegjësi e seriozitet të jashtëzakonshëm, ku respekti, edukata, qetësia ishin vënë në piedestal, imagjinova shumë studentë, të rinj e të reja shqiptarë, prindër të tyre, por kurrsesi një Kryeministër që bërtiste në tërbim, apo ministra që i mbanin ison në primitivitetin e tij. Në atë sallë mendova për këta dhjetëra e qindra shqiptarë që nuk meritojnë të përfaqësohen nga "Maliqi që bën ligjin" dhe nga ligji që mbrohet "duke shkulur dhëmb e dhëmballë". Në atë vend ku dija europiane triumfonte në formën e saj më të përparuar, më erdhi turp kur kujtova se ç‘flitej në Parlamentin që populli im, me vite i torturuar nga të papërgjegjshmit, në shpresë për një vend më të mirë, kishte dashur të zgjidhte. Në atë sallë ku u pohua se do luftohej deri në fund për të mbrojtur vlerat që krijuan Europën, më erdhi rëndë të mendoja se duke u thënë europianëve se jemi gati për Europën e bashkuar, ishin vetë përfaqësuesit tanë që i fyenin këto vlera.
Në momentet kur flitej për zgjerimin e BE-së, mendimi se dikush mund të kujtonte se ata që kërkonin me insistim të hynin në Europë, për shembull shqiptarët, shanin nga karrigia e Parlamentit dhe e mbronin ligjin me darën e dentistit, ishte një tmerr më vete. Në fakt nuk besoj se dikush nga të pranishmit mund të kuptonte se çfarë i duhej Kryeministrit të mbronte ligjet në një vend ku ka ndarje pushtetesh. Në një vend ku ka institucione që bëjnë dhe të tjera që mbrojnë ligjin dhe Kryeministri nuk është asnjë nga këto. Ndoshta duhej t‘i shpjegoja "Maliqin e Çajupit", që të kuptonin fenomenin, por nuk besoj se do të humbnin kohë, sepse Maliqi tashmë duhej të ishte "vetëm histori apo vetëm letërsi". Në ato momente nuk mund të bëja gjë tjetër vetëm të prisja që nëse flitej për Shqipërinë, unë të kujtoja shumë artistë, studiues apo studentë të shkëlqyer të vendit tim. T‘i përmendja këta të rinj shumë të edukuar që na përfaqësonin diku në një aktivitet sportiv në Europë. Domethënë t‘i përmendja fytyrën tjetër të Shqipërisë, jo atë të Parlamentit apo qeverisë. Por, ai ishte vetëm një kolokium prej disa ditësh. Një vështirësi që do të kishte fund. Tragjedia është këtu në vend, ku fytyra europiane e Shqipërisë përfaqësohet nga ata që duan të mbrojnë moralin duke aplikuar imoralitetin. Tragjedia thellohet kur të gjithëve u kërkohet të heshtin e pranojnë këtë vulgaritet apo adoptojnë atë për të mbijetuar të qetë a me ndonjë hise në pushtet. Tragjedia është bërë permanente nëse edhe këtë herë fytyra vulgare e Shqipërisë do të mbysë e kthejë në të tillë fytyrën e vërtetë europiane të Shqipërisë. Tragjedia s‘do të ketë më fund, nëse për hir të atij apo këtij interesi, këtij apo atij inati, frike apo presioni, heshtim dhe pranojmë të denigrohet Europa që kemi brenda nesh. Ajo që po sulmohet çdo ditë nga një minoritet që në fakt nuk i intereson të jetë në Europë, sepse natyrisht aty "ligjin nuk e bën Maliqi".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›