E Shtunë, 31 Tetor 2026

“HONORIS CAUSA”, Universiteti i Palermos vlerëson sot Kadarenë



Petrika GROSI
‘Është zëri më madhor i literaturës bashkëkohore shqiptare dhe një ndër shkrimtarët më të njohur në Europë për momentin.” Kështu e komenton shtypi italian shkrimtarin Ismail Kadare, disa herë kandidat për Çmimin Nobel, fitues i Man Booker Prize (2005) dhe i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare letrare. Më tej, artikulli vazhdon të tregojë se Kadare është antar nderi i Akademisë më prestigjoze në botë, siç është ajo e Francës. Poeti dhe prozatori ynë i njohur sot do të jetë në Universitetin e Palermos ku pritet të laureohet nga ky institucion, me titullin e lartë të nderit “Honoris Causa”. Në disa faqe të agjencive italiane të lajmeve në internet, dje thuhej se “nesër (sot), Universiteti i Palermos do të presë shkrimtarin më të madh bashkëkohor shqiptar, ndër më të famshmit europianë, Ismail Kadare. Rektori i Universitetit të Palermos, Roberto Lagalla do t’i dorëzojë zyrtarisht shkrimtarit të njohur titullin ‘Honoris Causa’ për shkencat e komunikimit social dhe institucional.” Ceremonia zhvillohet paraditen e sotme në orën 10:30. Programi parashikon fillimisht leximin e motivimit të dhënies së këtij titulli për Kadarenë nga prof. Patricia Lendinara dhe prof. Matteo Mandala. Pas kësaj, pritet një lexim magjistral nga shkrimtari shqiptar, që titullohet “Literatura e një gjuhe të ndaluar”. Vlen të theksohet se Kadare deri më sot numëron disa tituj të ngjashme “Honoris Causa”, të dhëna nga universitete të tjera të njohura europiane për shkrimtarin e “qytetit të gurtë”.

10 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›