E Diel, 1 Nëntor 2026

“Miss Shqipëria 2009”, Bozo përzgjedh 31 kandidatet për konkursin e bukurisë

Mbi 240 kërkesa nga vajzat në tri ditët e seleksionimit në “Kristal Center”. Edhe sivjet, spektakli i bukurisë është ekskluzivitet i Vizion Plusit

Ndërsa regjistrimet janë mbyllur për këtë vit dhe tashmë pritet shpallja përfundimtare e 31 bukurosheve që do të garojnë për kurorën e “Miss Shqipëria 2009”, sipas regjisorit dhe producentit Petri Bozo, ajo që bie më shumë në sy është rritja e interesit për këtë evenimet të rëndësishëm të bukurisë femërore në vendin tonë. “Ky interes është shfaqur gjatë këtyre viteve të fundit, jo vetëm nga vajzat shqiptare që jetojnë këtu, por edhe nga bukuroshet që janë jashtë kufijve, në shtete të ndryshme të botës” –tregon ai. Ende nuk janë bërë publike emrat e kandidateve, të cilat do të shpallen në një moment të dytë por mund të themi se mbi 240 vajza kanë kërkuar të drejtën për të marrë pjesë në konkursin e përvitshëm të bukurisë. Si fenomen tjetër në lidhje me interesimin e vajzave për këtë spektakël bukurie është rritja e kërkesave nga vajzat e Veriut të Shqipërisë, (Shkodra, Rrësheni, Lezha etj) ndërkohë që më parë, pjesa dërrmuese i përkiste Jugut. Tashmë spektakli pritet që të ndjekë zhvillimin tradicional të tij, duke shtegtuar nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, vende historike dhe zona turistike të vendit. Veç promovimit të bukurisë shqiptare, ky spektakël ka si qëllim edhe njohjen e monumenteve të kulturës, qyteteve antike e të trashëgimisë kulturore në vend përmes syrit të vajzave dhe videoklipet që do të filmohen bashkë me to. Siç dihet, fituesja e këtij konkursi do të ketë të drejtën ekskluzive për të përfaqësuar bukurinë shqiptare në garën tjetër ndërkombëtare të bukurisë “Miss Globe International”. Por pa gjë nuk do të mbeten as misset e tjera apo shoqërueset e miss-it. Siç ka ndodhur deri tani, mundësi të tjera konkurimi do të jenë për to nëpër spektakle të ndryshme ndërkombëtare të kësaj natyre, në Shqipëri e gjetkë, me të cilat Bozo ka lidhur marrëveshje. Disa nga çmimet që do të jepen për bukuroshet, të cilat garojnë janë “Miss Buzëqeshja”, “Miss Turizmi”, “Miss Fotozhenia”, “Miss Eleganca”, “Miss Kinemaja”, “Miss Inteligjenca”, “Miss Press”, “Miss Internet”, “Miss Televota”, si dhe “Shoqëruesja e parë” dhe “Shoqëruesja e dytë”. E pra, po vjen fundi i ditëve të “mbretërimit” për Almeda Abazin, e cila ndonëse mban edhe tituj të tjerë më prestigjozë si “Miss Globe International 2008”, do të duhet që t’ia dorëzojë kurorën e bukurisë të fituar në “Miss Shqipëria 2008”, bukuroshes që do të dalë e para në garën e bukurisë për këtë vit dhe që do të shpallet “Miss Shqipëria 2009”. Gjithashtu, nuk do të mungojë kalendari i përvitshëm me miss-et që ‘Deliart Assocation’ tashmë e ka shndërruar në një traditë të përvitshme.
P. GROSI

10 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›