HRW :Drejtësia, institucioni më i dobët në Kosovë
Mungesa e një marrëveshjeje ndërkombëtare mbi statusin vazhdon të pengojë përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të banorëve të Kosovës. Kështu shkruhet në raportin e fundit Human Rights Watch i cili po ashtu konstaton se drejtësia, është institucioni më i dobët në Kosovë.
Sipas këtij raporti autoritetet e Kosovës dështuan sërish të demonstronin angazhimin për të respektuar të drejtat e pakicave dhe shtetin ligjor. Duke iu referuar të dhënave të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, HRW shkruan se gjatë tetë muajve të parë të vitit të kaluar, në Kosovë janë shënuar 275 incidente ndëretnike.
Bashkësitë rome, egjiptiane janë grupimet më të pambrojtura në mesin e pakicave në Kosovë, konstatohet në raport, ndërsa kthimi vullnetar, përfshirë dhe atë nga Serbia, gjatë vitit 2009 sipas raportit ka njohur rënie. Nga ana tjetër, gjatë vitit 2009 ka vazhduar kthimi i detyrueshëm nga vendet e Evropës Perëndimore.