E Shtunë, 31 Tetor 2026

FBI ka përgjuar ilegalisht kompanitë

Raporti

Gazeta amerikane “Washington Post” ka bërë të ditur se FBI-ja  duke shfrytëzuar hapësirën ligjore të emergjencës terroriste ka përgjuar telefonat e kompanive të ndryshme për të marrë informacion. Bëhet fjalë për një mbledhje të paligjshme të 2000 regjistrimeve nga vitet 2002 deri në vitin 2006. Sipas gazetës, FBI ka dhunuar ligjin me mbledhjen e regjistrimeve telefonike gjatë periudhës së qeverisjes së Bushit. Duke iu referuar disa dokumenteve, gazeta thotë se FBI përdori pa qenë nevoja urgjencat e terrorizmit për të marrë një informacion në mënyrë të paligjshme. Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë do të nxjerrë një raport të posaçëm në lidhje me shkallën e shtrirjes së këtij problemi. Edhe një zyrtar i lartë i FBI-së ka pranuar se agjentët kanë dhunuar teknikisht ligjin për ruajtjen e privacisë së bisedave telefonike të vitit 1986 duke krijuar situatë të rreme alarmi. Sipas dokumenteve që posedohen nga gazeta, kërkesat për gjoja emergjencë që u hapnin rrugë përgjimeve janë firmosur nga zyrtarë të lartë të institucionit. Megjithatë, për procedimin e  mëtejshëm do të pritet përfundimi i raportit hetimor.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›