Për të punuar mendja e lexuesit
Hyu (është): ditë-nata, dimër-vera, luftë-paqja, velje-uria, dhe shndërrohet porsi zjarri, kur përzihet me aromat dhe përfton emër prej erës së çdocilës. Ngërthime: tërësor dhe jo tërësor, i pajtueshëm i papajtueshëm, i harmonishëm i jo-harmonishëm,
William JORDAN
Vepra e Heraklitit na ka mbërritur thjesht në një grusht citimesh të shkëputura dhe fragmentare; përpos kësaj, në kohët tona nuk kemi asnjë të dhënë rreth formës se si ishte e organizuar kjo vepër, apo nëse ishte krijuar në një formë koherente dhe të plotë. Në fragmentet që kemi, Herakliti thotë diçka rreth natyrës së përfundimeve që kish arritur të vilte përmes hulumtimit të tij filozofik; porse ajo çka shfaqet më e rëndësishme në rastin e tij, është fakti se Herakliti rreh të na ndihmojë edhe ne që të gjejmë udhën tonë për të arritur të tilla përfundime si të vlefshme për veten dhe për mënyrën tonë të sjelljes e të jetesës.
Një nga vatrat tematike qendrore të fragmenteve, që kemi nga Herakliti, boshtohet vazhdimisht rreth bindjes se pamësitë dhe idetë e shtruara prej tij është e vështirë dhe gati e pamundur që të kalojnë përmes një kanali të thjeshtë e të drejtpërdrejtë nga teksti te lexuesi. Si lexues, Herakliti pret që ne të punojmë dhe të vëmë në lëvizje mendjen dhe arsyen për të arritur një pamësi botëkuptimore që të jetë fillimisht e vlefshme për vetveten dhe për jetën tonë. Duke qenë i prirë nga të tilla synime, Herakliti na vë përpara një gjerdani sfidash për të zhbiriluar, qëmtuar dhe analizuar më së pari vetveten.
* * *
E shtruar në vija të trasha dhe të përgjithshme, pamësia botëkuptimore e Heraklitit boshtohet në tezën se bota përbëhet në tërësinë e vet prej zjarrit, i cili kalon nëpër një gjerdan shndërrimesh; se gjithçka që ekziston brenda kësaj bote gjendet në një shndërrim të pandalshëm dhe të përjetshëm; dhe së fundmi, brenda kësaj bote ku jetojmë, në një formë a tjetrën, të gjithë përballen me dukurinë e përnjështimit të qenësishëm të kundërtive.
Në lidhje me tezën e përnjështimit të qenësishëm të kundërtive, Herakliti shprehet: “S’e kuptojnë se si, edhe pse i jo-harmonishëm në vetvete, është i harmonishëm; harmoni mospajtimesh, si ajo e harkut dhe e lirës” (fr.88, Kahn). Apo: “I gjithënjëjtë... i gjalli dhe i vdekuri, i zgjuari dhe dremitësi, riaku dhe plaku: këta në shndërrim e sipër janë ata, ata në shndërrim e sipër janë këta” (fr.113). Në lidhje me praninë e shndërrimit nga brenda botës (“pamësia e rrjedhës” apo e “fluksit universal”, siç njihet ndryshe), Herakliti pohon: “Nëse vë këmbë në të njëjtat brigje, të tjera e sërish të tjera ujëra do vërshojnë sipër teje” (fr.50). Po ashtu, ka fort gjasa që Herakliti të ketë pohuar edhe këtë: ”Askush s’mund të laget dy herë prej së njëjtës rrjedhë.” Sa i përket më pas pyetjes se “çfarë është e qenësishmja?”, Herakliti i përgjigjet me pamësinë e ekzistencës së një “cikli kozmik”: “Shndërrime të brendavetshme të zjarrit: së pari fare deti; prej tij gjysma tokë, gjysma shtjellë përvëluese” (fr.38).
Për Heraklitin bota është e strukturuar dhe e organizuar si një e tërë: “Ekziston vetëm një urtësi: të njohësh kuptimësinë që mbizotëron gjithçka përmes gjithçkasë” (fr.54); përbëhet në thelb prej zjarrit: “Ky rend, i gjithënjëjtë për gjithçka, i pakrijuar prej hyjnive a njerëzve, ish kahershëm, është e do të jetë gjithsahershëm zjarr përherësisht i gjallë; mbë një anë ndizet, mbë një anë shuhet, njëkohësisht dhe sipas së njëjtës masë” (fr. 37) dhe, së fundmi, bota mbizotërohet nga ligjësia e njëshmërisë, e përnjështimit të qenësishëm të kundërtive. Kështu: “Hyu (është): ditë-nata, dimër-vera, luftë-paqja, velje-uria, dhe shndërrohet porsi zjarri, kur përzihet me aromat dhe përfton emër prej erës së çdocilës” (fr.123). Apo sërish: “Ngërthime: tërësor dhe jo tërësor, i pajtueshëm i papajtueshëm, i harmonishëm i jo-harmonishëm, prej tërë gjësendeve njëshmëria dhe prej njëshmërisë tërë gjësendet” (fr.124). Sakaq, brenda kësaj pamësie botëkuptimore, Herakliti piketon edhe një hapësirë për shpirtin njerëzor, ndonëse bëhet fjalë për një piketim fort të errët: “Përtej tokës uji, përtej ujit shpirti” (fr.102). Përpos kësaj: “Shpirti i paujë është më i dituri dhe i përndrituri” (fr.114).
* * *
Nga sa më sipër, besoj del mjaft qartas në pah se mes veprës dhe pamësive të lëvruara nga Herakliti dhe veprës e pamësive botëkuptimore të lëvruara nga miletasit vërejmë ngjashmëri dhe ndryshime, vazhdimësi dhe ndërprerje. Ndërsa shtron tezën e ekzistencës së ciklit kozmik dhe pamësinë se gjithçka është zjarr, Herakliti lëviz në të njëjtën hapësirë të lëvruar nga miletasit, madje, duke parashtruar “tezën më të arrirë rreth natyrës apo botës” (Barnes, 1979 a: 68), për të cilën mund të ndihej krenar, pasi në këtë drejtim vepra e tij mbart jo pak interes, ndërkohë që teza e tij se “gjithçka është zjarr” mund të vështrohet si një hap përpara në gjerdanin e pamësive botëkuptimore të lëvruara nga miletasit. Herakliti e pranon haptazi se, në pamje të jashtme, jo gjithçka është zjarr; ajo çka Herakliti rreh të pohojë, në të vërtetë, është ideja se gjithçka është zjarr në një trajtë apo formë, që do të thotë shprehimisht se “gjithçka është zjarr apo një shndërrim i zjarrit”.
Ndërkaq, ekziston një interpretim rreth mendimit të Heraklitit, i cili mund të tingëllojë me fort gjasa më se i vërtetë dhe i qëndrueshëm; fjala është për interpretimin, sipas të cilit pjesa thelbësore e pohimit të tij në këtë drejtim është e vërtetë. Sipas këtij interpretimi, Herakliti zgjodhi si element thelbësor dhe burimor zjarrin, për shkak se zjarri është simbol i natyrshëm i procesit; nga kjo këndqasje, thelbi i pohimit të Heraklitit rreh që të shprehë faktin se, në të vërtetë, “gjithçka është proces”; ky pohim qëndron ngushtësisht i lidhur me pamësinë e “gjithçka rrjedh”, që përbën thelbin e “fluksit universal”. I parashtruar kësisoj dhe nën dritën e këtij interpretimi, pohimi i Heraklitit se “gjithçka është zjarr” në kohët tona pranohet gjerësisht si i vërtetë.
Porse lartësia dhe vendi i Heraklitit në historinë e filozofisë nuk kufizohet thjesht dhe përjashtimisht në kontributin që i solli traditës së krijuar nga miletasit; pjesa dërrmuese e mendimit të tij filozofik lipset thënë se qëndron jashtë domenit të ngushtë të shkencës. Pamësia e fluksit universal apo ajo e njëshmërisë, e përnjështimit të qenësishëm të kundërtive nuk është se mund të pranohen apo të hidhen poshtë, duke u nisur thjesht e përjashtimisht nga njohuritë shkencore të përftuara kohët e fundit. Për Heraklitin bota ka nevojë për interpretim botëkuptimor, dhe jo thjesht e përjashtimisht për hulumtime shkencore.
* * *
Për çfarë interpretimi botëkuptimor është fjala këtu?
Pamësia qendrore mbetet padyshim ajo e njëshmërisë, e përnjështimit të qenësishëm të kundërtive; porse komentuesit e Heraklitit kanë shtruar interpretime të ndryshme përsa i përket kuptimit dhe mesazhit që rreh të përcjellë një pamësi e këtillë. Disa, siç është rasti i KRS, shprehen të mendimit se mesazhi që rreh të përcjellë Herakliti është ky: “Shumësia e tërësishme e gjësendeve formon një kompleks të vetëm, koherent dhe të përcaktueshëm, të cilin Herakliti e përkufizon si ‘përnjështim i qenësishëm’” (KRS, 1983: 191). Disa të tjerë, siç është rasti i Barnes-it, e shohin mesazhin e kësaj teze si një “birrë të lehtë” (Barnes, 1979 a: 71). Sipas bindjes së Barnes-it, Herakliti besonte vërtet në ekzistencën e një bote kundërshtish (Barnes, 1979 a: 69 et passim). Vlastos-i sakaq vë në dukje faktin se ajo çka e dallon pamësinë që Herakliti lëvroi në lidhje me ndërlidhshmërinë e gjësendeve me njëri-tjetrin nga pamësia që lëvruan pararendësit e tij, është më së pari zbatimi i saj praktik jashtë kuadrit të ngushtë kozmologjik. Sipas tij, pamësia e njëshmërisë, e përnjështimit të qenësishëm të kundërtive, nëse do të ishte i vërtetë, do të hidhte në erë tërë arkitekturën e ngrehinës së vlerave e parimeve morale (Vlastos, 1955: 428). Një nga fragmentet, që sillet si provë e fortë në këtë drejtim, është: “Për Hyun tërë gjësendet janë të hijshme, të mira dhe të drejta” (fr.68). Për Hussey-in (1982), fjala është më tepër për idenë, sipas së cilës mospajtimet kozmike që vërehen në botë, pasqyrohen këtillësisht edhe brenda natyrës njerëzore. Lufta, madje, përbën një nga tematikat qendrore të mendimit të Heraklitit: “Lufta është atëzot dhe kryezot i gjithçkaje” (fr.83).
Burnyeat-i ndërkaq shtron idenë se morali që rrokim në thelb të kësaj pamësie, boshtohet rreth tezës se qeniet njerëzore nuk janë asnjëherë në gjendje të përftojnë atë pamësi, që bota shfaq “nën syrin e Hyut”, një pamësi në të cilën tërë kundëritë nisin të pajtohen e të përnjështohen në mënyrë të qenësishme. “Nuk ekziston kurrfarë emërtimi tjetër, përpos atij që përftojmë duke u pikënisur nga një këndvështrim i veçantë” (Burnyeat, 1982 b: 47). Për rrjedhojë, “Në fund fare... pamësia që përftohet nga këndvështrimi i syrit të Hyut... është thjesht pamësia njerëzore e vetë-ndërgjegjësuar për të qenë një pamësi thjesht dhe përjashtimisht njerëzore” (Burnyeat, 1982 b: 47).
* * *
Sakaq, një interpretim tjetër mund të kishte qenë fakti se ndoshta Herakliti po kahej ta bindte njeriun që të pranonte si të mirëqena përnjështimin e qenësishëm të kundërtive, ekzistencën e shndërrimit në botë, sikundërse ekzistencën e vetësisë dhe pavetësisë, e vetvetes dhe tjetrit. Qëndrimi që ai shfaq ndaj kundërtive të qashtra dhe kundërtive të pamje-jashtme, mund të jetë ndoshta fort i përafrueshëm me qëndrimin e shprehur nga Whitman-i:
Po bie ndesh me vetveten?
Shumë mirë nëse bie ndesh me vetveten,
(Jam i gjerë, mbart në vetvete shumësitë.)
Të gjitha interpretimet e sjella më lart mbartin anën e tyre tërheqëse. Asnjë prej tyre nuk tingëllon e pavakishme. S’do mend, mesazhin e Heraklitit është fort e vështirë që ta interpretosh me saktësi. Kjo vështirësi lidhet me një varg arsyesh; një pjesë e tyre lidhet deri diku me vetë konceptin që Herakliti kishte krijuar rreth filozofisë.
Përktheu Shpëtim Doda
2 Mars 2009