Aksidentet vrasin dy persona dhe plagosin një tjetër në 24 orë
Tiranë - Një kalimtar është aksidentuar teksa kalonte rrugën, pasi u përplas nga një automjet. Ngjarja ndodhi para selisë së Partisë Socialiste. I plagosuri nuk është identifikuar ende, por është transportuar në gjendje të rëndë në spital. Shkaqet e aksidentit nuk janë bërë të ditura, ndërsa mësohet se drejtuesi i automjetit është shoqëruar në polici.
Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur në Lagjen 17/1 në Kënetë të Durrësit, te zona e mbikalimit. Sipas të dhënave, 56-vjeçarja Fatmira Koçi, e cila në atë moment ishte duke kaluar rrugën, është goditur nga një automjet i paidentifikuar, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Koçi u dërgua menjëherë në spitalin rajonal të qytetit për ndihmë mjekësore, por nga dëmtimet e shumta të marra në aksident nuk ka arritur të jetojë. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje.
Sakaq, mëngjesin e sotëm, në periferi të Fushë-Krujës, një aksident tjetër ka bërë që të plagoset rëndë Dritan Xhaferri, i cili ishte njëri prej drejtuesve të dy mjeteve të përplasura. Shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara. Automjeti tip “Audi”, me targa KR 7107 A, me drejtues Dritan Xhaferri, ka goditur një tjetër automjet tip “Volswagen” me targa TR 4336 M, e cila ishte ndalur pranë një lokali. Në të njëjtën makinë me Xhaferrin kanë qenë dhe dy persona të tjerë, të cilët kanë pësuar dëmtime të lehta. Sipas burimeve policore nga vendi i ngjarjes, mësohet se ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara me të cilën ngiste mjetin Xhaferri ajo që ka shkaktuar këtë aksident.
I shpallur në kërkim për falsifikime, kapet nga policia
Pogradec – Forcat e Policisë së Pogradecit kanë kapur në flagrancë shtetasin Arben Bashllari, lindur në fshatin Stravaj të Librazhdit dhe banues në Pogradec. Sipas të dhënave, 43-vjeçari është dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata e Pogradecit për veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave e formularëve” dhe atë të “kontrabandës me mallra të tjera”, vepra këto të parashikuara nga nenet 190/2 dhe 174 të Kodit Penal.
Vjedhja e banesave, kapen dy djem të dyshuar në Shkodër
Shkodër – Dy persona në moshë të re janë arrestuar sot nga policia e Shkodrës pasi konsiderohen autorë të vjedhjes së dy banesave. Policia informon se Seksioni i Luftës Kundër Krimeve të Pronës bëri dje ndalimin e 18-vjeçarit Gjovalin Mali, lindur e banues në fshatin Bardhaj, Shkodër, dhe Shkëlqim Hyseni, vjeç 27, lindur e banues po në fshatin Bardhaj. Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet të jenë autorë të vjedhjes një javë më parë të një banese në fshatin Bardhaj dhe një banese në fshatin Broj, të komunës Kelmend, rrethi Malësi e Madhe. Pas arrestimit dy të dyshuarit përballen me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim.
2 Mars 2009