Heshtja
Fjala jeni ju, shkrimtarë shqiptarë, jeni ju, krijues të lirë të veprave tuaja. Që të rrojë e lirë sot – sot më tepër se kurrë – fjala shqipe kërkon ndershmërinë tuaj. Mos e keqpërdorni fjalën, kolegë të penës! Nuk ka rëndësi se cilës rrymë letrare, cilit grup krijues, cilit lëm politik i takoni. Është e drejta juaj të jeni gjithkush e gjithçka. Por nuk keni të drejtën të dyzoni shpirtin e fjalës suaj. Mos u fyeni, mos e tradhtoni fjalën tuaj, kolegë të penës! Sot fjala shqipe kërkon prej jush vetëflijim historik: të vdesë brenda cilitdo prej nesh skllavi i djeshëm. Të përlindë shkrimtari shqiptar i së... nesërmes.
Fatos ARAPI
Heshtja
Të heshtësh. Shkrimtari që ka pasur fatin e rëndë të rrojë në Shqipëri, e di mirë se ç’do të thotë të mbërthesh nofullat e tua me një heshtje të ftohtë. Të flasësh kur duhet e kur mundesh, është menòuri, detyrë e guxim qytetar.
Të heshtësh, kur fjala është fyer e zhvleftësuar, kur shumica flasin pikërisht për të dhunuar e shfuqizuar fjalën, është gjithashtu mençuri, detyrë e guxim qytetar.
Historia e letërsisë shqipe është edhe histori e heshtjes.
Heshtje – mençuri, heshtje – dinjitet, heshtje – sfidë.
Studiuesi i letërsisë shqipe do të jetë i plotë vetëm atëherë, kur ai të arrijë të kapë nëpër duar edhe këtë heshtje; ta studiojë atë nga të gjitha anët; të zbërthejë arsyet, logjikën e kodet e saj.
Heshtja e shkrimtarëve të vërtetë është dokument historik, sepse letërsia dhe artet kanë jetën e tyre, ato realizohen shpesh nëpër mote të rënda, nëpër kohë të ndotura që vetëm të përbaltin e të neveritin.
Është e vështirë të kalosh e të mos spërkatesh prej tyre.
Dhe atëherë ti kthehesh në heshtje, ti je ajo heshtja mospërfillëse, stoike, ai shpirt artistik aristokrat sfidant.
Ti je ajo ironi e mençme, që me gishtin e vet shkund këmishën e trupit, që të mos e ndotë as hija e diellit.
Dhe ashtu ke krijuar, ndofta, metaforën poetike më të guximshme, të cilën fatkeqësisht nuk e hodhe dot në letër, por ama e shkrove në ajër dhe në ndërgjegjen e njerëzve.
Të çlirosh fjalën
Në fillim dhunohet fjala.
Në fillim skllavërohet e vritet shpirti i lirë i fjalës.
E kemi pësuar në veten tonë: diktatura, në fillim, vret armikun e saj të vërtetë – fjalën e lirë.
Të vrasësh frikën, do të thotë të çlirosh më parë fjalën, t’i kthesh asaj guximin qytetar, mençurinë intelektuale, dinjitetin njerëzor.
Fjala jeni ju, shkrimtarë shqiptarë, jeni ju, krijues të lirë të veprave tuaja.
Që të rrojë e lirë sot – sot më tepër se kurrë – fjala shqipe kërkon ndershmërinë tuaj.
Mos e keqpërdorni fjalën, kolegë të penës!
Nuk ka rëndësi se cilës rrymë letrare, cilit grup krijues, cilit lëm politik i takoni. Është e drejta juaj të jeni gjithkush e gjithçka. Por nuk keni të drejtën të dyzoni shpirtin e fjalës suaj.
Mos u fyeni, mos e tradhtoni fjalën tuaj, kolegë të penës!
Sot fjala shqipe kërkon prej jush vetëflijim historik: të vdesë brenda cilitdo prej nesh skllavi i djeshëm. Të përlindë shkrimtari shqiptar i së... nesërmes.
Flitë e parë të progresit
Atëherë kur bie një pengesë, përpara letërsisë, artit e kulturës ngrihen kufij e mure të tjera.
E para që e ndien dhe duhet t’i kapërcejë ato, është kultura e arti.
Ky është fati i poetit, piktorit, kompozitorit, intelektualit të njëmendtë.
Ata janë flitë e parë të lirisë e të progresit njerëzor.
Këtë fat ata e kanë zgjedhur vetë.
Qysh nga foshnjëria, njerëzimi ndjek pas ëndrrën e zbulimit të universeve gjithnjë të panjohura. E kur e shkel, fakeqësisht, zbulon aty edhe skllavërinë, edhe urinë, edhe krimin.
Njerëzimit i duhet të luftojë sërish, letërsisë, artit e kulturës, të krijojnë udhë e vepra të reja, të nisen sërish drejt të panjohurave, hapësirave të tjera, emancipimit të ri të shpirtit njerëzor...
2 Mars 2009