E Diel, 1 Nëntor 2026

Hacker-at e bankomatëve, 3 dënohen, 11 të tjerë i shpëtojnë dënimit me burg

 

TIRANE - Lot gëzimi në Gjykatën e Tiranës. Familjarët e 11 prej të pandehurve të dosjes "Matriks" nuk i përmbajtën lotët dje, kur gjykata vendosi lirimin nga qelia për të afërmit e tyre. Gjykata e kryeqytetit përfundoi shqyrtimin gjyqësor në ngarkim të 14 personave të akuzuar për vjedhjen e shumave të mëdha të parave, duke klonuar kartat e kreditit të personave të ndryshëm. Vendimi i dhënë nga treshja gjykuese, e kryesuar nga gjyqtari Petrit Çomo, dënoi me burg tre prej të pandehurve, la në liri me kusht katër prej tyre, deklaroi të pafajshëm katër, ndërsa dënoi me gjobë monetare në lekë tre të tjerë. Sipas verdiktit të Gjykatës së Tiranës, personat që do të vuajnë dënim me burg janë Endrit Gjergjani, Kreshnik Luku dhe Alban Bare, përkatësisht nga 3 vjet e 4 muaj, 2 vjet dhe 1 vit burg. Plot katër të pandehur u deklaruan të pafajshëm nga togat e zeza të kryeqytetit. Jo fajtor për çdo akuzë të ngritur ndaj tyre u shpallën të pandehurit Anil Gjegjani, Endrit Abazi, Blerin Abazi, Flamur Gashi. Gjykata vendosi lirimin nga qelia, duke u dhënë 2 vjet kohë prove, për të mos kryer vepër tjetër penale për Rei Karapicin, Enea Çelën, Redi Çikanin dhe Ledio Dokon. Sipas vendimit, ata duhet të vazhdojnë studimet dhe të mbajnë kontakte me Shërbimin e Provës. Ndërsa gjykata vendosi dënimin me nga 140 mijë lekë gjobë për të pandehurit Fatmir Gorshi, Fatmir Karlmaku dhe Klajdi Therollari. Në vendimin e saj, gjykata mori parasysh faktin që në seancat e mëparshme ndaj 14 të pandehurve ishte pranuar gjykimi me kohë të shkurtuar. Personat e mësipërm akuzoheshin nga Prokuroria se me anë të klonimit të kartave të bankomatëve të personave të ndryshëm kishin përvetësuar sasi të mëdha parash.                             ar.ba

Dënimet sipas gjykatës

Endrit Gjegjani         3 vjet e 4 muaj burg
Rei Karapici             2 vjet liri me kusht
Kreshnik Luka         2 vjet burg
Enea Çela             2 vjet liri me kusht
Redi Çikani             2 vjet liri me kusht
Ledio Doko             2 vjet liri me kusht
Alban Bare             1 vit burg
Anil Gjegjani             i pafajshëm
Endrit Abazi              i pafajshëm
Blerim Abazi              i pafajshëm
Flamur Gashi             i pafajshëm
Fatmir Gorshi         140 mijë lekë gjobë
Fatmir Karlmaku         140 mijë lekë gjobë
Klajdi Therollari          140 mijë lekë gjobë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›