"SHIK dhunë në bazën sekrete të Lezhës"
Armand Bajrami
Përgjegjësi i vilës së Shërbimit Sekret në Vain të Lezhës dëshmoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda për "anën e errët" të bazës së fshehtë ku është mbajtur në vitin 1995 biznesmeni i zhdukur Remzi Hoxha. Mark Frroku rrëfeu në procesin gjyqësor kundër katër ish-agjentëve sekretë, të akuzuar për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxhës dhe torturimin e Avdul Loshajt dhe Ziso Kristopulit. Dëshmitari tha se një nga rojet e godinës i kishte treguar së në vilën e Vainit ishin dërguar njerëz në bagazhe automjetesh, të cilët merreshin në pyetje, dhunoheshin dhe mbaheshin aty për ditë me radhë. Remzi Hoxha nuk ishte person i njohur për dëshmitarin e djeshëm, ndërsa Mark Frroku pohoi se në lidhje me biznesmenin shqiptaro-maqedonas kishte biseduar në rrugë jo zyrtare me punonjës të tjerë të shërbimit të fshehtë. Dëshmitari Frroku tha para gjykatës se në vitin 1998 kishte takuar Ziso Kristopulin, njëri nga tre të rrëmbyerit e SHIK-ut. Takimi ka ndodhur në Vain ndërsa dëshmitari tha se të dhënat e marra nga Kristopulli e kishte raportuar gojarisht te shefi i atëhershëm i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi. Sipas dëshmitarit, Ziso Kristopuli kishte shkuar në Vain për të identifikuar godinën, ku ai pretendonte se ishte mbajtur për disa ditë nga SHIK-u në tetor 1995. "Aty mësova se Ziso ishte çuar në Vain, se ishte marrë në pyetje, ishte ushtruar mbi të dhunë psikologjike, por jo fizike. Këto i mbaj mend nga biseda e Zisos në tavolinë. Kjo, pasi unë nuk e mora në pyetje", tha Frroku. Në dëshminë e tij, Frroku sqaroi se në vilën në Vain të Lezhës nuk mund të shkonin punonjësit e SHIK-ut të këtij rrethi, por vetëm kryetari. "Nga bisedat që kam bërë me rojet e godinës kam marrë vesh se aty vinin persona nga Tirana, por se kush ishin ata nuk e dinin. Njëri nga punonjësit, Viktor Sokoli, më është shprehur se atje kanë sjellë edhe njerëz të cilët i kanë keqtrajtuar fizikisht. Duke i mbajtur në ditë të tëra me tortura fizike e duke i sjellë në bagazh të makinës e të tjera", u shpreh dëshmitari. Frroku tha se këto informacione ia ka transmetuar verbalisht shefit të tij. "Unë transmetova me gojë ato që më thanë rojet te shefi im, Fatos Klosi. Më vonë ai më tha të pyesja edhe rojet e tjera se kush mund të kishte dijeni", sqaroi përgjegjësi i vilës "sekrete". Për takimin tij me Ziso Kristopulin, dëshmitari tregoi se ky i fundit i kishte thënë se ishte dhunuar psikologjikisht nga SHIK-u. "Ziso Kristopuli nuk më përmendi emra se kush e shoqëroi në Lezhë. Sipas tij, ai nuk ishte dhunuar fizikisht por psikologjikisht. E kishin marrë pa i thënë se ku po e çonin dhe se nuk dinte se ku ndodhej", u shpreh dëshmitari.
Thirrje e detyruar për ish-rojën
Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi dje kërkesën e Prokurorisë për thirrjen e detyruar të dëshmitarit Viktor Sokoli. Dëshmitari Sokoli nuk ishte paraqitur dje në sallën e gjyqit, ndërsa dëshmia e djeshme shtoi interesin e organit të akuzës, për thirrjen e tij. Vetëm dy seanca më parë, pyetja e Sokolit dështoi, pasi ai ishte paraqitur në gjykatë pa mjet identifikimi.